Me pension nuk shkohet në pushim as për një javë

Në Kosovë, 7 për qind e popullsisë së përgjithshme është e përbërë nga persona të moshës mbi 65 vjeçare. Në sezonin e verës pensionistët thonë se kanë shumë dëshirë dhe nevojë t'i kalojnë disa ditë në bregdet, por mundësitë për këtë janë të vogla shkaku i pensioneve shumë të ulëta që i marrin.
Ata vazhdojnë të kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë, duke përfshirë edhe pensionet e pleqërisë.
Hasan Rexha ka punuar për 40 vjet si jurist. Ai thotë se në sezonin e verës ka organizime nga Shoqata e Pensionistëve që grupe pensionistësh të shkojnë në bregdetin shqiptar, në Durrës, Velipojë, etj. Por, ai thotë se nuk ka mundësi të shkojë.
“Duhet të jepet një pension e gjysmë për të shkuar në pushime 10 ditë. Me 150 euro në mënyrë të organizuar mund të shkosh, por nuk mjaftojnë. As që po diskuton kush për pensionet. Po thonë që do të aprovohet Ligji për pensionet, do të bëhet kategorizimi, por vetëm fjalë boshe. Unë jam jurist i diplomuar dhe kam punuar 40 vjet”.
“Por, gjatë pushimeve bëhen edhe shpenzime tjera. Ata që bazohen në pension nuk është e mundur të shkojnë, e ata që kanë dikë që ju ndihmon financiarisht mund të shkojnë në pushime. Unë nuk do të shkoj”, thotë Rexha për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, njëra nga punëtoret e Shoqatës së Pensionistëve, Hajrije Gashi thotë se interesimi i pensionistëve për të shkuar në pushime është shumë i madh, derisa mundësitë për ta janë të pakta.
“Vetëm ata që kanë fëmijë jashtë. Pensionisti që ka punuar 40 vjet, me 112 euro as barnat e veta nuk mund t'i blejë. E ata që kanë fëmijë jashtë Kosovës, shkojnë. Me 127 euro në qershor ke mundur të shkosh në Durrës”.
“Çdo vit organizojmë pushime në Durrës, në Velipojë. Por me pension nuk mund t’ia dalin. Më shpesh vajzat ju dërgojnë të holla, ato janë më të kujdesshme, dhe prindërit e tyre shkojnë në pushim, relaksohen, kanë nevojë shumë”, thekson Gashi.
Por ka edhe të tillë që gjatë gjithë vitit kursejnë nga pak para për t'i kaluar shtatë ditë në bregdet. Njëra nga to është Raba Ajeti.
“Do të shkoj. I kam mbledhur tërë vitin të hollat me social. Thanë që kushton 110 euro për 7 ditë dhe do të shkoj me shoqe”.
Por jo edhe Sylejman Hajdini, i cili nuk ka mundësi të shkojë në pushime. Ai thotë se prej kur ka dalë në pension në vitin 2009 nuk ka qenë në pushime.
“Pre se kam dalë në pension, nuk kam qenë në pushim. Por i falënderohem Zotit se e kam shëndetin e mirë. Ata që dëshirojnë të shkojnë në pushime, munden vetëm nëse ju ndihmon dikush që ju punon jashtë Kosovës”.
Hulumtimet e fundit të bëra nga vetë institucionet lidhur me gjendjen socio-ekonomike të pensionistëve, tregojnë se kjo kategori e shoqërisë përballet me shkallë të lartë e varfërisë./Indeksonline/