E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shtyhet deri në 17 mars afati i aplikimeve për universitetet/ Evis Kushi: Kemi rritur buxhetin për kërkimin shkencor

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka deklaruar se buxheti për kërkimin shkencor është rritur me 75 për qind në krahasim me vitin 2022.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kushi thekson me këtë buxhet po ecet dretj përmbushjes së angazhimit për të rritur  financimin e kërkimit shkencor në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030.

“Këtë vit kemi rritur me 75% buxhetin për projekte të kërkimit shkencor në krahasim me vitin 2022, duke ecur shpejt drejt përmbushjes së angazhimit tonë për të rritur financimin e kërkimit shkencor në 1% të PBB deri në vitin 2030. Falë këtij buxheti, me thirrjen e këtij viti do të mundësojmë edhe rritjen e numrit të projekteve fituese por edhe përmirësimin e cilësisë së tyre”, shkruan Kushi.  

Thirrje Për Aplikim Për Projektet Kombëtare Të Kërkimit Dhe Të Zhvillimit PKKZH Për Vitin 2023 by Rtsh Faqe on Scribd

Duke iu referuar projekteve për kërkimin shkencor Kushi ka bërë të ditur edhe shtyrjen e afatit të aplikimeve, ku universiteteve iu bëhet thirrje që të aplikojnë për projekte shkencore deri në 17 mars. 

“Përgjatë këtyre ditëve kemi parë një angazhim dhe interes të lartë nga universitetet dhe institucionet kërkimore shkencore për të aplikuar në këtë thirrje. Prandaj, nisur nga nevoja dhe kërkesat tuaja për më shumë kohë në dispozicion, Bordi i Administrimit të AKKSHI-së mori vendimin për shtyrjen e afatit të aplikimit deri në datën 17 Mars 2023”, thekson më tej Kushi.

Ajo bën të ditur gjithashtu se do të hapet edhe një thirrje e dytë “e cila do t’i dedikohet vetëm projekteve që vijnë nga bashkëpunimet mes universiteteve dhe bizneseve, me qëllim modernizimin e proceseve teknologjike ose përmirësimin e standardeve të produkteve dhe shërbimeve”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›