E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet gjyqi kundër Limajt dhe 9 ish- pjesëtarëve të UÇK-së

PRISHTINE-Në Kosovë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka shtyrë për një dhjetor procesin gjyqësor kundër deputetit të Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte.

Zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit thanë se “gjykimi është shtyrë sepse njëri nga të pandehurit ka një rast vdekjeje në familjen e tij dhe atij i është dhënë mundësia për të marrë pjesë në ceremonitë mortore”.

Të hënën, gjykata kishte caktuar ditën e martë për vazhdimin e procesit dhe të shqyrtimit të kërkësave të palës mbrojtëse për shtyrjen e procesit deri në shkurt të vitit të ardhshëm.

Aktakuza e cila u hodh poshtë nga të gjithë të akuzuarit, i ngarkon ata për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që siç thuhet, supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila ndodhej në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.

Akuza ishte mbështetur kryesisht mbi dëshmitë e një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X deri në muajin shtator, kur ai kreu vetëvrasje në Gjermani, ku ishte dërguar nga autoritetet e EULEX-it në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur. Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë.

Mbrojtja e të akuzuarve kërkoi shtyrjen meqë, siç është thënë, dokumentet që përmbajnë akuzën, i janë dorëzuar me vonesë palës mbrojtëse.

Më 22 shtator, zotit Limaj iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak, pasi më parë Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë një opinion sipas të cilit deputetët nuk kanë imunitet për veprat e kryera jashtë fushëveprimit të tyre.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant ‘Çeliku’, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998. Ai u prit si hero pas kthimit nga Haga dhe disa muaj më pas u rikthye në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës të drejtuar nga zoti Hashim Thaçi.
Dy vjet më pas ai mori postin e ministrit të transporteve dhe telekomunikacionit.

Në pranverën e vitit 2010 EULEXI-i filloi një proces hetimesh kundër zotit Limaj, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e tij, të cilat ende po vazhdojnë.

(d.b/VOA/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›