Shtyhet ndryshimi i 3 neneve

Këshilli i Rregullores i mbledhur dje me dyer të mbyllura ka vendosur që të ndryshohet vetëm neni 111 i Rregullores Parlamentare që i jep të drejtë Kuvendit që të shqyrtojë dekretet e presidentit. Sipas vendimit zyrtar, kandidatët e propozuar nga presidenti për anëtarë të Gjykatës së Lartë, do të shqyrtohen në parlament me seanca dëgjimore. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme, mësohet se është paraqitur dhe është diskutuar edhe propozimi i dy deputetëve socialistë Arben Malaj dhe Besnik Dervishi. Arritja e konsensusit mes anëtarëve demokratë dhe socialistë duket se do të sjellë një propozim integral, mes atij të demokratit Fatos Beja dhe atij të deputetëve socialistë, Arben Malaj dhe Besnik Dervishi. Pas mbledhjes është vendosur që të mblidhen ekspertët legjislativë të Kuvendit dhe të hartojnë propozimin integral, i cili sipas gjasave mund të miratohet në parlament javën e ardhshme.
Ndërkohë, burime në Këshillin e Rregullores bëjnë të ditur gjithashtu se gjatë mbledhjes së djeshme është diskutuar edhe për ndryshimin e neneve 100, 101 dhe 109 të cilat duhej të ndryshoheshin menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese. Mësohet se ndryshimi i këtyre neneve të rregullores është lënë për një fazë tjetër, duke qenë se ndryshimi i rregullores për çështjen e shqyrtimit të dekreteve të presidentit duhej bërë më shpejt. Ndërkohë, një nga çështjet që nuk është përcaktuar akoma në mënyrë përfundimtare është edhe koha që do ti lihet Kuvendit për të shqyrtuar dekretet e presidentit. Ndryshimi i rregullores së parlamentit u propozua fillimisht nga deputetët socialistë Arben Malaj dhe Besnik Dervishi. Pak ditë më vonë, pothuajse i njëjti propozim erdhi edhe nga deputeti demokrat Fatos Beja. Gjatë diskutimeve për propozimet e ndryshimit të Rregullores parlamentare, u deklarua se do të bëhej edhe ndryshimi i 3 neneve të saj që kishin të bënin me mocionin e besimit dhe mosbesimit si dhe me mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Në Kushtetutë u ndryshua mënyra e bërjes së mocionit të besimit, atij të mosbesimit dhe mënyra e zgjedhjes së presidentit, ndërsa në Rregulloren parlamentare nuk është ndërhyrë akoma për të bërë këto ndryshime. Tashmë, kjo duket se është lënë për një fazë të dytë.