Zyrtarët e Meico, ngrenë supet për 3200 katjushkat

TIRANË - Pista e një trafiku të mundshëm katjushkash të kalibrit 107 mm ka vënë në lëvizje grupin hetimor të “Dosjes Gërdeci”, i cili po verifikon çdo detaj të mundshëm të lëvizjes së municioneve dhe hapave ligjor që janë ndjekur për realizimin e këtij transaksioni të dyshimtë. Burime pranë prokurorisë thanë se pasi janë njohur me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes për nxjerrjen e rreth 3200 copë predha të kalibrit 107 mm, të quajtura ndryshe katjushka, kanë zbarkuar në arkivat e ndërmarrjes “Meico” që ka realizuar dhe këtë shitje, që për momentin dyshohet se nuk është aspak e ligjshme. Nga verifikimet e kryera në këtë ndërmarrje rezultoi se i vetmi moment i dokumentuar për shitjen e katjushkave një kompanie amerikane është një vërtetim shitjeje dhe asgjë më shumë. Mungesa e një kontrate mes “Meico” dhe kompanisë blerës ka detyruar grupin hetimor të marrë në pyetje gjithë personelin e ndërmarrjes së eksport-importit të materialeve ushtarake, të cilët kanë mohuar të kenë dijeni për një shitje të tillë. Sipas burimeve të sigurta të gazetës bëhet me dije se në listën e të pyeturve për këtë çështje që vazhdon të mbetet tepër e mistershme janë marrë gjithë personat që ndjekin praktikat e rastit për një shitje që realizon ndërmarrje “Meico”. I pari në listën e hetuesve ka qenë sektori juridik, i cili ka mohuar të ketë dijeni për përgatitjen e një kontratë për shitjen e predhave të kalibrit 107 mm (katjushkave) nga “Meico” drejt kompanisë amerikane, identiteti i të cilës po verifikohet aktualisht. Ekzistencën e kontratës sipas prokurorisë e kanë mohuar edhe protokollistet dhe arkivistet e ndërmarrjes, të cilat nuk kishin dijeni për një dokument të tillë, çka ka nxitur më tepër kuriozitetin e prokurorisë për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje. Burimet thanë se në gjithë këtë histori më i çuditshëm është fakti se veç një vërtetimi që tregon shitjen e predhave të kalibrit 107 mm nuk ekziston asnjë e dhënë tjetër. Madje prokuroria është vënë edhe në kërkim të parave që firma blerëse ka paguar për mallin ushtarak të marrë nga ndërmarrja “Meico”, të cilës pak nga pak po i zbulohen të gjitha “mëkatet” që ka bëtë me armët dhe municionet shqiptare. Duke mos gjetur asnjë dokument në ndërmarrjen që është autoriteti i vetëm për realizimin e shitjes së armëve dhe materialeve ushtarake, prokuroria pritet t’i kalojë seancat e pyetjeve tek ushtarakët dhe ish-ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm, të cilët janë të detyruar me ligj të kenë evidenca të sakta për armët dhe municionet që dalin nga depot e ushtrisë. Por edhe pse prokuroria ka më shumë se një muaj që po ndjek një pistë të tillë, të vetmet detaje që ka arritur të zbulojë është emri i firmës blerëse, sasia e municioneve dhe fleta që tregon se rreth 3200 copë municione të kalibrit 107 mm janë shitur.
Krerët e Ushtrisë do
pyetën për katjushkat
Nëse edhe ushtarakët e lartë të Shtabit të Përgjithshëm nuk do kenë dijeni për këtë shitje tepër misterioze, prokuroria do të kryejë të gjitha verifikimet për firmën blerëse. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije, se në vazhdën e hetimeve të kësaj çështje, në ditët në vijim pritet të merren në pyetje ushtarakë të Shtabit të Përgjithshëm, si ish-drejtori i Logjistikës, Dashnor Çaushi si dhe ushtarakë të tjerë që kanë përgjegjësi ruajtjen dhe administrimin e depove të ushtrisë. Prokuroria nuk përjashton mundësinë që shitja e rreth 3200 predhave të kalibrit 107 mm pa kontratë, nuk është rasti i parë. Një dyshim i tillë është ngritur pas administrimit të tabelave me sasinë e saktë të municioneve që kanë dalë nga depot e ushtrisë.