Shtyhet për në 25 korrik gjyqi për 21 janarin, jep dorëheqjen gjyqtari
Gjykata e Apelit ka shtyrë për në 25 korrik, në orën 10:00 seancën gjyqësore për ngjarjet e 21 janarit. Vendimi për shtyrjen u bë pas dorëheqjes së gjyqtarit Agron Papajani.
Seanca e parë gjyqësore në Apel për të akuzuarit për vrasjet e demonstruesve në 21 Janar ka zgjatur fare pak ndërsa në sallë mungonin edhe dy të akuzuarit Agim Llupo dhe Ndrea Prendi. Ky i fundit kishte paraqitur një deklaratë ku thuhet se do të përfaqësohej nga avokati i tij Genci Gjokutaj.
Që në fillim të seancës avokati Gjokutaj kërkoi largimin e dy anëtarëve të trupit gjykues Agron Papajani dhe Fatos Qato me arsyetimin se kanë konflikt interesi. Sipas tij, Papajani nuk mund të gjykojë këtë çështje pasi ka qënë edhe në seancën gjyqësori kur ish-komandantit të gardës Ndrea Prendi iu dha masa e sigurisë ndërsa Fatos Qato është bashkëshorti i anëtares së PS-së Merita Qato e cila është edhe një nga organizatoret e 21 janarit.
Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila shpalli të pafajshëm ish-komandatin e gardës Ndrea Prendi dhe ish-gardistin Agim Llupo.
Në apelimin drejtuar Gjykatës së Apelit, Prokuroria kërkon gjykimin e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, për akuzën e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese ndaj Faik Myrtajt dhe Agim Llupos, për vrasje me dashje në rrethana të rrezikshme të shtetasve Hekuran Deda dhe Ziver Veizi.
Prokuroria, në ankimin drejtuar Gjykatës së Apelit, thekson se akuzën e ngritur e konsideron të provuar mbi bazën e dëshmive të marra në hetimet paraprake dhe gjatë procesit gjyqësor, si dhe nga ekspertizat e kryera dhe administrimi i provave materiale.
Në apelimin e çështjes së 21 janarit organi i akuzës nuk do të ketë as ndryshim të masës së kërkuar të dënimit, 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet burg për Agim Llupon.
Në 7 shkurt, gjykata shpalli vendimin duke i dhënë pafajësi të pandehurve të procesit “21 janarit”, ish komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo.
Prokuroria e Tiranës i akuzonte Prendin dhe Llupon për “vrasje me dashje” të më shumë se dy personave, për shkak të cilësive të viktimave, por gjykata e hodhi poshtë.