E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet për të premten gjyqi ndaj Ilir Metës

Seanca e ardhshme gjyqësore nga kreu të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta është shtyrë. Në një njoftim të Gjykatës së Lartë bëhet e ditur se seanca e parashikuar për sot në orën 11:00, do të mbahet të premten në orën 10:00.

Në seancën e fundit gjyqësore tre ekspertët e përcaktuar nga Gjykata e Lartë për të bërë ekspertizën e videos Meta-Prift deklaruan se filmimi nuk është origjinal.

Ata gjithashtu theksuan se zëri në video nuk mund të pastrohet për tu dëgjuar pastër.

*    *     *

Në një deklaratë për shtyp deputeti Dritan Prifti reagoi lidhur me deklaratat e avokatit të Metës se do ta hidhte në gjyq:

“Nuk ka kërcënim në botë që më tremb mua të them të vërtetën. Kërcënimi i avokatit të djallit vetëm më argëton dhe më bën të qesh. Dy gazeta të përditshme kanë botuar në faqe të parë takimin e Serjanit me ekspertët e gjyqit Meta para se ta bëjë unë këtë citim. Ekspertët e videos kanë gënjyer publikun dhe drejtësinë. Ekspertët kanë kryer krim me shtrembërimin e drejtësisë dhe së vërtetës.Të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar skemën e mashtrimit. SHBA dhe Angli kanë prova dhe ekspertizën për mashtrimin e ekspertëve të Metës” – tha Prifti

********

Mbrojtësit ligjor të Ilir Metës Petrit Serjani dhe Spartak Braho dolën në një konferencë për shtyp ku kanë deklaruar se ekspertiza u bë nga persona kompetentë sipas tyre. Nuk mund të vihet në dyshim integriteti i ekspertëve, tha Braho duke rreshtuar më tej eksperiencat e tre ekspertëve. Gjithashtu avokat i Metës, Serjani rrëzoi pretendimet se ka pasur një takim mes mbrojtësve ligjor të kreut të LSI-së dhe tre ekspertëve një ditë para paraqitjes së ekspertizës në gjykatë. Më tej Braho, ish-deputet i LSI-së tha se ekspertiza vërtetoi atë që Meta ka pretenduar që në fillim: se video është një montazh, sipas tij. Në orë nuk gjet filmimi Meta-Prifti. Në laptop provë e prokurorisë kishte ndërhyrje të shumta. Kishte 10 ndërhyrje me aparatura elektronike. Ka ndërhyrje në fashën zanore në videon e transmetuar. Ka ndërhyrje në tik-taket e orës. Ka ndërhyje edhe në pjesët e nxehta të pretenduara, tha Braho. Ai shtoi se ka edhe një tjetër fakt interesant pasi kaseta është prodhuar me 12 janar ndërsa në media filmimi është publikuar me 11 janar. Pyetjes nëse janë të gatshëm të pranojnë një tjetër ekspertizë, Braho tha se Ekspertizat i vendos Gjykata e Lartë është një çështje që nuk është në vullnetin e zotit Prifti. Ata thanë se do ta padisin ish-ministrin Prifti për mashtrim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›