Shtyhet perfundimi i negociatave Athine-Trojka

Negociatat e Greqisë me inspektorët e trojkës ndërkombëtare do të vijojnë edhe pas datës 18 tetor që përkon me samitin e krerëve europianë në Bruksel. Ndryshe nga sa ishte kërkuar që Athina duhet të përfundonte të gjitha marrëveshjet me trojkën mbi raportin për masat e reja shtrënguese të paketës së kursimeve brenda datës 18 tetor nga qeveria greke bëhet e ditur se kjo datë është shtyrë për një tjetër kohë të pacaktuar. Sipas ministrit të financave greke Janis Stournaras këto negociata do të vijojnë edhe pas samitit të BE. Gjithsesi burime qeveritare bëjnë me dije se në takimet e fundit që inspektorët kanë zhvilluar me ministritë në Athinë kanë qenë optimiste pavarësisht përplasjeve në disa prej pikave kryesore të paketës.
Ndërkohë kryeministri Antonis Samaras në një konferencë të organizuar nga gazeta International Herald Tribune, është shprehur optimist se Greqia do të marrë së shpejti këstin e radhës të kredisë. Ai ka theksuar se kësti i kredisë është i domosdoshëm për rikapitalizimin e bankave greke, për të forcuar likuiditetet e ekonomisë dhe për të shlyer shteti detyrimet që ka ndaj sektorit privat. Kësti i radhës është kritik, pasi do të çertifikojë se Greqia mund të qëndrojë në këmbë dhe se largohet rreziku i daljes së vendit nga euro, ka shtuar Samaras. Kryeministri ka thënë më tej se, megjithë masat shtrënguese, që janë të fundit, ekonomia greke brenda vitit të ardhshëm do të mundë të bëjë kthesën dhe të futet në nisjen e rimëkëmbjes. Samaras ka komentuar se është gjë pozitive që për herë të parë ekziston konsensus dhe nënvizoi se ka vështirësi, por ndërkaq kemi bërë progres dhe më e keqja ka kaluar.