Shtyhet raundi i pestë i bisedimeve Kosovë-Serbi

Raundi i pestë i bisedimeve nuk do të mbahet më 14 dhe 15 qershor ashtu siç ishte paralajmëruar, ndërsa palët japin qëndrime të ndryshme.
Për këtë raund ishte paralajmëruar se do të kishte nënshkrime të marrëveshjeve, ndërkohë që kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri, ka thënë se bisedimet janë shtyrë, pasi Beogradi i frikësohet nënshkrimit të marrëveshjeve për temat që janë diskutuar si: lëvizja e lirë, tregtia, energjia dhe telekomunikacioni.
Por, shefi i ekipit serb të negociatave, Borko Stefanoviç, ka thënë se shtyrja është bërë në marrëveshje me të dyja palët, njoftoi REL.
"Mendoj se nuk është mirë që të jepen konkluzione të tilla, veçanërisht nga ana e Prishtinës, sepse e dinë mirë se kush ka qenë kundër nënshkrimit të marrëveshjeve. Kjo nuk na sjellë më afër marrëveshjeve dhe ne nuk i frikësohemi çfarëdo lloj marrëveshjeje. Jemi të gatshëm që të arrijmë marrëveshje me Prishtinën. Dhe mendoj se jemi shumë afër", tha Stefanoviç.