Fshesa e Morsit

Për ministër të ri të Mbrojtjes presidenti egjiptian ka emëruar gjeneral-kolonelin, Abdel Fatah el-Sissi, ndërsa për zëvendëspresident të vendit ka emëruar gjykatësin, Mahmoud Mekki.
Gjatë një konference me gazetarë, të mbajtur ditën e hënën, zëdhënësi i presidentit egjiptian, Jasser Ali, deklaroi se vendimet e Morsit hyjnë në fuqi menjëherë.
Një ditë më parë, të dielën, presidenti Mohamed Morsi, deklaroi se vendimi i tij për pensionimin e dy gjeneralëve më të lartë ushtarak të vendit “është një lëvizje në dobi të kombit”. Ai gjithashtu njoftoi se është pezulluar edhe deklaratat kushtetuese përmes së cilës zvogëlohen kompetencat dhe përgjegjësitë e presidentit.
“Vendimet që i solla sot nuk janë të drejtuara kundër njerëzve të caktuar, as kundër institucioneve, dhe qëllimi i tyre nuk është kufizimi i lirive të askujt”, theksoi Morsi gjatë fjalimit që mbajti me rastin e shënimit të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.
“Unë nuk desha që askujt t’i dërgojë porosi negative, por qëllimi i këtyre vendimeve është një përmirësim pozitiv i situatës për shtetin dhe kombin”, shtoi ai.
Në vazhdim të fjalimit të tij, presidenti i Egjiptit ka lavdëruar punën e forcave të armatosura të vendit që nga koha e rrëzimit të ish-presidentit, Hosni Mubarak, duke përmendur edhe atë se, prej tash e tutje ushtria do të fokusohet “në misionin e shenjtë të mbrojtjes së popullit”.
Vendimi i presidentit u mbështet nga shumica e partive politike në Egjipt, por profesori i shkencave politike, Hassan Nafaa, këtë vendim të tij e cilëson “befasues”, sepse, edhe pse vendimi duket revolucionar dhe mbështetet nga shumica e subjekteve politike, “para sjelljes së një vendimi kaq të rëndësishëm, Morsi është dashur të konsultohej paraprakisht me shumicën e forcave politike, njësoj siç është konsultuar me to gjatë formimit të qeverisë së re”.
"Morsi tani ka në dorë fuqinë për formimin e Asamblesë Kushtetuese [e ngarkuar për përpilimin e Kushtetutës së re], të cilën deri më tani e kishte Këshilli Ushtarak”, theksoi ai.
"Nëse, për çfarëdo arsye, Asambleja e tanishme dështon në përpilimin e Kushtetutës, atëherë ekziston mundësia që Asambleja Kushtetuese të përballet me vështirësi për përmbushjen e mandatit të ka”, shton Nafaa, i cili frikësohet se Vëllazëria Myslimane tani do të mund të dominojë lehtë në të gjitha institucionet e vendit.
Ndryshe, feldmareshali i ndërruar, Hussein Tantawi, ishte në krye të Këshillit Ushtarak, i cili drejtoi Egjiptin për 17 muaj, që nga rrëzimi i ish-presidentit Mubarak në protestat e muajit shkurt të vitit të kaluar.
Para kësaj periudhe, Tantawi për më shumë se dy dekada ishte ministër i Mbrojtjes, në kohën e regjimit të Hosni Mubarak.
Njeriu i dytë më i rëndësishëm në hierarkinë ushtarake të vendit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Egjiptit, Sami Anan, po ashtu u detyrua të pensionohej, dhe në vend të tij u emërua gjeneral-koloneli, Sidki Sayed Ahmed.
Mohamed Morsi, i cili për president të Egjiptit u zgjodh në muajin qershor, është anëtar i Vëllazërisë Myslimane, e cila ka shumicën e deputetëve në parlamentin e vendit.
Para se të merrte detyrën e presidentit, Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura, i cili e drejtonte vendin asokohe, solli një vendim që presidentit ia kufizonte të drejtat dhe mundësitë për të vendosur për gjërat që ndërlidheshin me ushtrinë.
Komandanti i pensionuar i Marinës së Egjiptit, Mohan Mamish, është emëruar për kryesues të Kanalit të Suezit, gjegjësisht të rrugës strategjike ujore që lidhë Detin e Kuq me Detin Mesdhe, dh që paraqet një burim të madh të të ardhurave për shtetin.
Disa mijëra njerëz u panë të dielën në Sheshin Tahrir, ku kishin dalë të kremtonin vendimin e presidentit Morsi për pensionimin e ministrit të Mbrojtjes, Hussein Tantawi.
"Populli e përshëndetë vendimin e presidentit”, brohorisnin të tubuarit në Tahrir, me të publikuar të lajmit për pensionimin e Tantawi.
"Mareshal, thuaje të vërtetën, se Morsi të shkarkoi”, ishte brohoritja tjetër e demonstruesve egjiptianë.
Dita e diele në Egjipt kaloi edhe në shenj të aksionit të ushtrisë në Gadishullin e Sinait, gjegjësisht në rrethinën e qytetit Al-Arisha, gjatë të cilit deri tani janë vrarë të paktën gjashtë militantë islamikë.
Burimet brenda shërbimeve egjiptiane të sigurimit njoftuan se grupet islamike ishin të armatosura me raketa, granata dhe pushkë automatike.
Aksioni i ditës së diele, gjatë së cilës u vranë edhe tre ushtarë egjiptianë, është vetëm një prej aksioneve të shumtë të iniciuar nga ushtria egjiptiane pasi që javën e kaluar militantët kishin vrarë 16 policë kufitarë.
Analistët egjiptianë dhe të huaj konsiderojnë se situata aktuale e sigurisë në Sinai – një rajon ky që shtrihet në kufi me Izraelin - është përkeqësuar ndjeshëm pas rrëzimit të ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak.