Shtypi austriak komenton raportin e fundit të Bankës Botërore

Shqipëria korr lëvdata për reformat ekonomike Shqipëria renditet sipas një raporti të Grupit të Bankës Botërore tek vendet që ka shënuar reformat më të mëdha e të zellshme gjatë këtyre muajve të fundit: në raportin me titull: “Doing Business”, që merr në lupë e krahason zhvillimet e 181 ekonomive kombëtare, Shqipëria është përmirësuar me 49 vende dhe renditet kështu në vendin e 86-të, para shtetit anëtar të BE-së, Greqisë dhe kandidatit për anëtarësim në BE, Kroacisë. Vetëm Azerbajxhani ka shënuar përmirësim më të madh se Shqipëria, duke ecur plot 64 vende më lart në renditje në krahasim me raportin e fundit. “Shqipëria i ka shpallur reformat një prioritet politik“, thotë Sabine Hertveldt, eksperte e Bankës Botërore në Uashington, në bisedë me gazetën austriake të specializuar në sferën e ekonomisë, “WirtschaftsBlatt”. Ajo vë në dukje përparimet që ka bërë Shqipëria në lidhje me regjistrimin e çeljen e shpejtë të një akvititeti biznesi, marrja e kredive, mbrotja e investitorëve dhe sistemi i taksave. Shteti ballkanik në fillim të vitit - për shembull - nisi aplikimin e një takse të ulët me nivel prej 10%, thotë përgjegjësi për çështjet e biznesit, Christian Miller. “Orientimi dhe përparimi që ka shënuar Shqipëria, qëndron“, përmbledh ai. Banka Botërore i rendit ekonomitë kombëtare sipas dhjetë kritereve në lidhje me kushtet bazë rregullatore për ndërmarrjet. Kandidati për në BE, Kroacia renditet në këtë listë në vendin e 106. „Kroacia gjendet tashmë edhe pas fqinjit të saj, Serbisë“, thotë Hertveldt. Por: “Unë pres që vendi të përmirësohet vitin e ardhshëm“, thotë ajo. “Vitin e shkuar, Kroacia renditej ndër vendet më reformatore. Ajo çfarë Shqiëpria paraqet këtë vit, është ajo çka Kroacia paraqiste në fakt vitin që shkoi”. Kushtet më të favorshme rregullatore për ndërmarrjet e biznesit, sipas Bankës Botërore, i paraqet Singapori, Zelanda e Re dhe SHBA. Brenda zonës së BE-së, në vend të parë renditet Danimarka, e cila në listën botërore renditet e pesta, ndjekur nga Britania e Madhe dhe Irlanda. ...