E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Jo veç me rezolutë kundër krimeve të komunizmit

Duke qenë në gjendje pushtimi të rëndë nga ana e Serbisë, rënies së komunizmit, që kishte filluar në vitet ’90 të shekullit të kaluar në shtetet e bllokut lindor të Evropës, Kosova nuk ka mundur t’ia kushtojë gjithë vëmendjen e duhur sa i përket trajtimit dhe ndëshkimit të krimeve të këtij regjimi. LKJ, LSPP, LRS, Milicia, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (SHSSH, i njohur si UDB), gjyqet, radioja, mjetet e informimit etj., ishin urdhërdhënësit, ushtruesit dhe propaganduesit e krimeve të këtij sistemi mbi qytetarët e Kosovës, kryesisht shqiptarë. Shqiptarë, të të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve, që angazhoheshin për realizimin e të drejtave të tyre të ligjshme kombëtare- në shkallë të njëjtë me popujt e tjerë të republikave të ish-Jugosllavisë, për të shkuar më tutje drejt qëllimit final: bashkimit me vendim amë - Shqipërinë. Si krerët ashtu dhe pjesëtarët e këtyre mekanizmave kriminalë të sistemit komunist në Kosovë, apo të të ashtuquajturit “socializmit vetëqeverisës”, në masën më të madhe ishin po ashtu shqiptarë të Kosovës. Me rënien e komunizmit edhe në ish-Jugosllavi, ranë, zyrtarisht, edhe këto organe dhe rrjedhimisht u eliminua pothuajse tërësisht edhe rreziku i ushtrimit të dhunës dhe krimeve të mëtejme shtetërore nga shqiptarët mbi shqiptarët. U kënaqën shqiptarët e Kosovës me këtë fakt? U ngushëlluan ata me llogarinë e bërë se tani, ndoshta tani për tani, luftën do ta kishin vetëm me Serbinë pushtuese? E shihnin si rrezik për vendin, çlirimin e tij dhe arritjen e lirisë e të drejtave të ligjshme njerëzore e kombëtare ish të burgosurit politikë shqiptarë të Kosovës dhe familjarët e viktimave të tjera të komunizmit, nëse do ta merrnin drejtësinë në duart e tyre e ta fillonin ndëshkimin e bashkëkombësve udbashë, kosistë, milicë, gjyqtarë e prokurorë të deridjeshëm, të cilët edhe ashtu fillimisht kishin gjetur jatak në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa më vonë edhe në subjektet e tjera politike dhe jopolitike shqiptare? - Qëndrojnë në masë bukur të madhe që të gjitha këto së bashku. Por mbi të gjitha qëndron fakti se Kosova vërtet asnjëherë deri pas çlirimit, në qershor të vitit 1999, në saje të luftës titanike të Ushtrisë së saj Çlirimtare (UÇK) dhe bombardimeve të NATO-s, nuk pati institucione të veta qeverisëse. Prandaj mbetën të pandëshkuara krimet e kryera mbi qytetarët shqiptarë nga regjimi komunist i Kosovës. Që nga përfundimi i luftës ka pasur dy iniciativa për ndëshkimin e krimeve të komunizmit në Kosovë; në nëntor të vitit 2006 dhe në prill të vitit 2007. Si herën e parë ashtu dhe të dytën, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i kishte bërë kërkesë Kryesisë së Kuvendit që ta fusë në rend të ditës çështjen e ndëshkimit të krimeve të kryera nga regjimi komunist në periudhën kohore 1945-1999. Edhe përkundër vendimit që kishte marrë Kryesia e Kuvendit të Kosovës, më 10 prill 2007, që kjo të bëhej nëpërmjet një rezolute, një gjë e tillë s’ka ndodhur gjer më tani. A të vetëngushëllohemi duke e konsideruar shkaktar statusin e pazgjidhur të Kosovës? Tashmë kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe është njohur nga 51 shtete, Kuvendi i Republikës ka marrë në shqyrtim edhe këtë çështje dhe në seancën e 17 tetorit ka përkrahur nismën, e ardhur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, për hartimin e një Rezolute për dënimin e krimeve të komunizmit në Republikën e Kosovës, në periudhën 1945-1999. Për harkun kohor të krimit, përgjigje mund të jepet vetëm pasi ta kenë thënë qartë fjalën e tyre juristët dhe historianët se a duhet trajtuar ndaras nga krimet e komunizmit apo jo krimet gjenocidiale të kryera nga Serbia mbi shqiptarët gjatë viteve të luftës në Kosovë. Llogaritet se Rezoluta mund ta marrë numrin maksimal të votave të deputetëve në Kuvend, sidomos nëse ajo nuk i tejkalon suazat e një dënimi formal dhe, veçanërisht, nëse nuk i sjell askujt pasoja politike apo të natyrës tjetër. Por një rezolutë e tillë nuk do të paraqiste ngushëllim të mjaftueshëm për viktimat e shumta të komunizmit. Kjo rezolutë, për të mos mbetur vetëm në suazat e një satisfaksioni moral, do të duhej t’i paraprinte nismës për nxjerrjen e ligjit për trajtimin e ish-punëtorëve e bashkëpunëtorëve, të hapur a të fshehtë, të UDB-së dhe KOS-it gjatë periudhës komuniste, meqenëse hapja e dosjeve të tyre, tani për tani, duket gati se e pamundur. Ato ose mund të jenë zhdukur, për t’i humbur gjurmët e krimit, në vitin 1999 - gjatë tërheqjes së këtyre strukturave së bashku me ushtrinë e policinë si dhe forcat paramilitare serbe nga Kosova, ose mund të gjenden në Serbi. Në përgatitje të këtij ligji, Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi do të duhej të mbështetej nga Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, KMDLNJ, Ombudspersoni i Kosovës si dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile. Po me këtë ligj do të duhej të rregullohej, garantohej apo merrej e drejta e ushtrimit të detyrave me përgjegjësi në institucionet e larta qeverisëse të Kosovës, të policisë, sigurisë, gjyqësisë, inteligjencës apo dhe medieve publike të atyre personave që kanë urdhëruar apo nxjerr vendime politike a vendime gjyqësore, të cilat i kanë paraprirë ushtrimit të krimeve mbi qytetarët shqiptarë, mbi vlerat kulturore shqiptare dhe vlerat materiale të vendit. Thënia se në Kosovë të gjithë ishin viktima të regjimit komunist është më tepër se hipokrizi, është fyerje e viktimave, që ua bëjnë para së gjithash akterët e krimeve jo vetëm për këtë qëllim, por edhe për të vetamnistuar veten e tyre. Është jo vetëm fyerje për viktimat e regjimit komunist, por edhe rrezik për të ardhmen dhe proceset demokratike në Kosovën e pavarur, nëse kriminelët komunistë do të vazhdojnë edhe më tutje të mbajnë po ato poste që kishin në regjimin e kaluar, aq më tepër kur çdonjëra nga partitë politike në Kosovë deklarohet si më demokratike dhe më antikomuniste se tjetra. Pakoja e presidentit, tashmë Nobelistit të Paqes, Ahtisari, së bashku me njohjen e pasuar ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, definitivisht ia ka hapur rrugën edhe ndëshkimit meritor të krimeve komuniste dhe përmbylljes së kapitullit të hidhur komunist të historisë së Kosovës. Ta kenë nuhatur këtë këto ditë hamshorët komunistë të Kosovës prandaj kanë marrë vrapin për ta rishkruar historinë e tyre nëpërmjet shkrimit të historisë së viktimave të tyre- ish të burgosurve politikë?...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›