E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Kasacionit në Romë vendos për zhdëmtimin e familjeve të viktimave të nazistëve

Gjermania duhet të zhdëmtojë nëntë familje të viktimave të një masakre naziste në Itali të kryer në qershor të vitit 1944. Ky vendim i Gjykatës së Kasacionit në Romë mund të shërbejë si shembull për raste të tjera. Italia pret me kureshtje reagimet e palës gjermane. Sipas ekspertëve italianë vendimi i Gjykatës së Kasacionit mund të shkaktojë një valë të re procesesh për dëmshpërblime. Përfaqësuesi i drejtësisë gjermane në procesin e zhvilluar në Romë, Augusto Dosena e vlerësoi gjendjen me këto fjalë: "Teorikisht Gjermania është e detyruar t'i paguajë dëmshpërblimet. Por në praktikë dyshoj që qeveria gjermane do të paguajë, pasi ajo nuk e ka bërë asnjëherë këtë". Sipas vlerësimeve të Dosenës ndaj Gjermanis mund të ngrihen rreth 10 000 padi për zhdëmtim dhe dëmshpërblime. Nëse ndodh kjo, vazhdon avokati i qeverisë gjermane, atëherë Berlinit do t'i mbylleshin të gjitha rrugët për shembull për ngritjen e fondeve të reja për zhdëmtim dhe dëmshpërblime pasi do të duhej të priteshin vendimet nga rastet e ngritura veç e veç. Gjatë Luftës së II-të Botërore shumë italianë kundërshtuan diktaturën fashiste të Benito Musolinit, i cili qeveriste Italinë. Trupat naziste gjermane ishin aleate të Musolinit dhe ishin futur në Itali si forcë aleate miqësore. Partizanët luftonin kundër njësive të Vehrmahtit dhe njësive të SS-ve. Për t'u hakmarrë ndaj sulmeve të partizanëve italianë ushtarët gjermanë kryenin masakra ndaj civilëve. Disa qindra krime të tilla u kushtuan jetën rreth dhjetë mijë njerëzve. Në rastin konkret bëhet fjalë për 203 persona të cilët ranë viktima të masakrave hakmarrëse në fshatrat Civitela, Kornia dhe San Pancrazio në krahinën e Italisë së Veriut, Arezzo. Për pjesëmarrjen e tij në këto masakra, në dhjetor të vitit 2007 u dënua me burgim të përjetëshëm oficeri i atëhershëm gjerman Maks Jozef Milde. Natyrisht në mungesë pasi Gjermania nuk i ekstradon shtetasit e saj në raste të tilla. Disa prej keqbërësve jetojnë edhe sot e kësaj dite në Gjermani. Gjatë viteve të kaluara gjykatat italiane kanë filluar të shqyrtojnë rastet ende te hapura. Rezultatet zakonisht janë të njëta: dënime të larta në mungesë, fajtorët nuk ekstradohen, të afërmit e viktimave nuk zhdëmtohen.Sipas familjeve te viktimave nuk bëhet fjalë për të holla por për drejtësi. Roberto Alboni (Roberto Alboni), avokat i familjeve të vikltimave të Civitellës: "Në radhë të parë ky është një lehtësim moral. Për mua dhe për klientët e mi, të cilët i kam edhe të afërm. Ne jemi anagazhuar kundrejt qëndrimit refuzues të shumë personave". Nga ana juridike risia e procesit të fundit është se familjeve të viktimave u njihet e drejta e dëmshpërblimit. Nga ana tjetër vendimet e Gjykatës së Kasacionit në Romë shumicën e rasteve nuk njihen nga instancat ndërkombëtare. Megjithatë shoqatat e viktimave në Itali shohin në këtë vendim një hap të rëndësishëm në drejtim të përpunimit të së kaluarës së tmerrshme. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›