E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasës shqiptarësh dhe vjedhës lopësh

Share

Kush është kryeshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq? Disa detaje të reja mbi karrierën e tij të përgjakshme gjatë luftës së Kosovës tregojnë se politika e Beogradit ndaj Kosovës ka ndryshuar vetëm fasadën, por jo përmbajtjen. Kjo, me sa duket, nuk paraqet kurrfarë pengese për të ashtuquajturën bashkësi ndërkombëtare dhe për regjimin në Prishtinë. Dikoviqi, i dyshuar si pjesëmarrës në masakrën e Izbicës, së shpejti mund të vijë edhe në kryeqytetin e Kosovës për të takuar komandantin e KFOR-it

Nga Enver Robelli

Nëse sot në Kosovë, si shqiptar, kërkoni që në raport me Serbinë të mos lëshohet pe në disa çështje që prekin shtetësinë e Kosovës, menjëherë do tju shpallin nacionalist; nëse këmbëngulni që të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejta të barabarta pa marrë parasysh përkatësinë etnike, menjëherë do tju shpallin nacionalist, sepse gjoja qenkeni kundër pakicës serbe, e cila – sipas kësaj logjike – merituaka të drejta ekstra; nëse mendoni se sa i përket rregullimit të brendshëm të Kosovës janë bërë aq shumë kompromise saqë çdo ndryshim, ta zëmë, i Planit të Ahtisaarit, e bën Kosovën një Bosnjë të dytë, pra shtet jofunksional, prapë menjëherë do tju shpallin nacionalist.

Me këso lehtësie njerëzit janë shpallur nacionalistë vetëm në kohën e Jugosllavisë komuniste, kur në Kosovë mbretëronte gjendje e jashtëzakonshme dhe kur shteti fliste me publikun përmes kërbaçit. Me gogolin e nacionalizimit janë duke manipuluar disa diplomatë të stacionuar në Prishtinë dhe jo pak eksponentë të regjimit kosovar. Kështu synohet të bllokohet çdo kritikë kundër një politike joparimore që po ndiqet nga burokratë të Bashkimit Evropian si Robert Cooper-i dhe po zbatohet nga puthadorët e tyre kosovarë, të cilët shantazhohen lehtë kur të merren parasysh biografitë e tyre të njollosura politike. Kur nuk ke argumente për tu ballafaquar me kritikën, atëherë më së lehti është ta nxjerrësh nga cilindri gogolin e nacionalizimit. Derisa kërkesat hop-hop për bashkim me Shqipërinë, thirrjet mendjelehta për ndryshim kufijsh gjithsesi mund të quhen nacionalizëm folklorik që manifestohet nga disa qarqe në Kosovë, Shqipëri e në Maqedoninë shqiptare, kritikat që në Kosovë drejtohen kundër lëshimeve të mëtutjeshme ndaj Serbinë assesi nuk mund të diskualifikohen duke i quajtur nacionaliste, siç po veprohet nga ana e disa protektorëve të vetëshpallur të Kosovës, të cilët në këto vise sillen sikur të ishin gjuetarë në savanë. Eksponentë të regjimit, të zhytur në krime e korrupsion, janë tejet të zëshëm në njollosjen dhe denoncimin e rivalëve politikë, por ata njëkohësisht dhe çuditërisht rrinë të heshtur kur duhet mbrojtur interesat e vendit apo kur duhet demaskuar politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

Suxhuku dhe kasapi

Janë dëgjuar javëve të fundit debate kulinarike për suxhukun, por asnjë eksponent i regjimit në Prishtinë nuk ka folur as edhe një fjalë të vetme kundër kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, i cili në fillim të dhjetorit e emëroi në postin e kryeshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë një gjeneral, i cili, sipas informatave të deritanishme publike, ka qenë i involvuar në krime të llahtarshme gjatë luftës në Kosovë. Këtë skandal e kaluan në heshtje diplomatë perëndimorë në Beograd dhe Prishtinë, të cilët prej vitesh nuk lëshojnë rast pa theksuar domosdoshmërinë e pajtimit mes popujve. Por si mund të arrihet pajtimi kur vetëm 13 vjet pas luftës Serbia e emëron shef të armatës Lubisha Dikoviqin, i cili si komandant i brigadës së 37-të të motorizuar dyshohet të ketë urdhëruar, lejuar, komanduar disa masakra kundër civilëve shqiptarë?

Vetë shqiptarët dhe pushtetet e tyre të pasluftës nuk janë kujdesur që të themelojnë një institucion të besueshëm, i cili do të merrej me dokumentimin e krimeve të Serbisë. Tek së voni janë bërë disa përpjekje për krijimin e institucioneve të tilla në Prishtinë, por ato ende më shumë janë klube pensionistësh sesa organizma dinamike shtetërore. Rrjedhimisht, nuk ishin autoritetet e Kosovës që alarmuan opinionin ndërkombëtar për emërimin skandaloz të Dikoviqit. Ishte Natasha Kandiqi dhe Fondi i saj për të Drejtën Humanitare që prezantuan Dosjen Lubisha Dikoviq, ku janë listuar shumë krime të ushtarit të parë serb. Pushtetarët e Beogradit, mediet proqeveritare, qarqet nacionaliste të gjithë u ngutën ta marrin në mbrojtje Dikoviqin dhe ta quajnë dosjen e Kandiqit si tendencioze. Kandiq prej vitesh i është nënshtruar dhunës verbale nacionaliste në Serbi. Mosmirënjohës ndaj punës së saj në dokumentimin e krimeve janë treguar edhe shqiptarët e Kosovës. Të gjithëve na kujtohet episodi i palavdishëm nga Ferizaj, ku politikanët lokalë nuk patën kurajën ta shpallnin zonjën Kandiq qytetare nderi. Tre kryetarë të Kosovës së pasluftës Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga po ashtu nuk i dhanë një dekoratë sado simbolike kësaj gruaje të guximshme. A ka ironi më të madhe që kontrabandisti Zvonko Veselinoviq të marrë rrogë nga buxheti i Kosovës, ndërsa Natasha Kandiqit të mos i thuhet as faleminderit? Nëse në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë planifikohet të nderohen personalitete të huaja, autoritetet në Tiranë do të bënin mirë që zonjën Kandiq ta rendisnin ndër të parat.

Kriminelët dhe 300 lopët

Faktet që i ka numëruar Fondi për të Drejtën Humanitare ndërkohë i ka konfirmuar edhe Lakiç Gjoroviqi, ish-prokuror i Qarkut Ushtarak në Beograd dhe, më herët, në Prishtinë. Gjoroviqi i ka dhënë këto ditë një intervistë revistës Dani të Sarajevës, e cila për opinionin kosovar ka rëndësi të dorës së parë si dokument e dëshmi mbi luftën. Së pari Gjoroviqi rikujton se gjenerali Dikoviq ka qenë dëshmitar i Tribunalit të Hagës më 10 dhe 11 dhjetor 2007, ku ka pranuar krimet e brigadës së tij në Kosovë, pastaj ish-prokurori ushtarak njofton se në vitin 1998 kryeshefi i atëhershëm i Ushtrisë së Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi), Momçilo Perishiq, kishte nënshkruar planin Grom 98, i cili urdhëronte ushtrinë të vendosë rendin dhe pastrojë territorin e Kosovës, sidomos zonën e Drenicës. Për të realizuar këtë plan parashihej angazhimi i brigadës së 37-të të motorizuar, e cila komandohej nga Dikoviqi. Dy oficerë nën komandën e tij kishin angazhuar mes 150 deri 200 luftëtarë me përvojë lufte (lexo: përvojë në krime) në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë; ata ishin ushtruar në Rashkë. Në dëshminë e tij në Hagë, Dikoviqi kishte deklaruar se disa pjesëtarë të brigadës së tij kanë kryer krime, por ishte arsyetuar se ata kishin qenë idiotë. Ish-prokurori Gjoroviq pyet se si Dikoviqi ka lejuar që grupet luftarake nën kontrollin e tij ti komandojnë idiotët dhe psikopatët? Gjoroviqi tregon se derisa kishte qenë prokuror në Prishtinë kishte trajtuar rastet e krimeve që këto grupe kishin kryer në Komunën e Istogut dhe atë të Klinës. Më tutje ai thotë: Kemi rastin e dy grupeve të rezervistëve kriminelë të lëshuar më parë nga burgjet, të armatosur dhe të sjellë për të luftuar dhe të integruar në brigadën e 37-të të motorizuar të cilët ranë në konflikt rreth ndarjes së plaç

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›