Basha: Diplomacia e Ramës, çoroditëse për perceptimin ndërkombëtar të vendit

Kreu i PD kritikon diplomacinë e kryeministrit në ardhje, duke e cilësuar vendosjen e një rendi të rëndësisë strategjike midis fqinjëve si të rrezikshme dhe çoroditëse për perceptimin ndërkombëtar të vendit. Basha apelon për kujdes, pasi nga axhaminjtë e së majtës, pasi politika e jashtme dhe institucionet e sigurisë kombëtare nuk janë instrumente të propagandës dhe kapitalit politik
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha apeloi dje se duhet pasur kujdes me politikën e jashtme që ndjek Shqipëria dhe se kjo e fundit të mos përdoret si instrument për propagandë politike. Deklarata bëhet në rrjetin social, Facebook, ku Basha thekson se çdo trajtim me emocione që u bëhet marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët, janë amatorizëm dhe dëm për vendin. Sipas ish ministrit të Jashtëm, “vendosja publike e një rendi të rëndësisë strategjike midis fqinjëve, është çoroditëse për perceptimin ndërkombëtar të vendit”. Kujdes!-shkruan kryetari i opozitës- Politika e jashtme dhe institucionet e sigurisë kombëtare në vendet demokratike, nuk janë instrumente të propagandës dhe kapitalit politik”. Basha thotë se “Politika e jashtme dhe integrimi evropian i Shqipërisë duhet të udhëhiqen nga racionaliteti, maturia dhe vazhdimësia. Trajtimet emocionale, amatorizmi dhe etja për tu dukur janë të dëmshme për interesat e vendit”. Reagimi i Bashës vjen kështu pak ditë pasi kryeministri i zgjedhur Edi Rama kreu në vendet fqinje, Turqi, Greqi e Itali. Rama gjatë vizitës në Turqi theksoi se ky vend është një partner strategjik për Shqipërinë, deklaratë që ngjalli shumë reagime në fushën e diplomacisë dhe atë politike. Ndërsa, në komentet e Edi Ramës nuk spikat asnjë fjalë për gjeopolitikën e Partisë Socialiste dhe raportet me vendin mik të shqiptarëve, SHBA-të. Lulzim Basha ka kryer për rreth 2 vjet detyrën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, kohë e cila llogaritet si një nga periudhat më të rëndësishme të shtetit shqiptar në raport me politikën ndërkombëtarët. Z.Basha udhëhoqi kursin e reformave të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, arritja më e madhe e shtetit shqiptar në vijim të sfidave të integrimit euro-atlantik.
Reagimi i plotë i z.Basha
“Vendosja publike e një rendi të rëndësisë strategjike midis fqinjëve, është çoroditëse për perceptimin ndërkombëtar të vendit. Kujdes! Politika e jashtme dhe institucionet e sigurisë kombëtare nuk janë në vendet demokratike, instrumente të propagandës dhe kapitalit politik. Politika e jashtme dhe integrimi evropian i Shqipërisë duhet të udhëhiqen nga racionaliteti, maturia dhe vazhdimësia. Trajtimet emocionale, amatorizmi dhe etja për tu dukur janë të dëmshme për interesat e vendit. L.Basha”