E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhen shpresat për Samitin e NATO-s

Maqedonia edhe në Samitin e NATO që do të mbahet në muajin maj në Çikago të SHBA-ve përfundimisht nuk do të marrë ftesën për anëtarësim.

Ky vendim tashmë është i qartë për autoritetet qeveritare në Shkup, të cilët humbasin shansin për të përfituar ftesën për anëtarësim në NATO.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen deklaroi se agjenda e samitit të radhës nuk parashikon procesin e zgjerimit dhe pranimin e anëtarëve të rinj.

“Të gjitha vendimet në NATO sillen në bazë të koncensusit, dhe kjo përfshin edhe Greqinë. Për të dërguar ftesën në adresë të Shkupit, duhet mbështetja e Greqisë. Unë e kuptoj se Greqia nuk ka vullnet për të bërë një ftesë të tillë derisa nuk gjendet zgjidhje e ndërsjelltë për emrin. Kështu kemi vendosur në Bukuresht në vitin 2008 dhe ai vendim akoma është në fuqi”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

Lidhur me Samitin e ardhshëm të NATO-s që mbahet në muajin maj në Çikago, edhe ambasadori amerikan në Shkup, Pol Volers ka nënvizuar se SHBA-të nuk do të nxisin çështjen e pranimit të Maqedonisë në Aleancë, pasi dihet paraprakisht se nuk do të ketë koncensus.

Ai gjithashtu ka saktësuar se në Samiti i radhës nuk do të ketë në agjendë çështjen e zgjerimit.

Këto deklarata kanë shuar shpresat dhe përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë për të përfituar ftesën edhe me referencën FYROM, duke u thirrur në Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që ishte në favor të Shkupit dhe që obligonte Greqinë të respektonte Marrëveshjen e Përkohshme midis dy vendeve, sipas së cilës Athina zyrtare nuk do të bllokonte anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare.

Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov dje kërkoi që NATO të respektojë vendimin e GJND-së për kontestin e emrit. Ndërkohë, deri tani nuk ka pasur ndonjë koment nga ana e kreut të Qeverisë, Nikolla Gruevski.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›