E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi në Bruksel, BE vendos për Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në Bruksel, ku pritet të takohet me shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, si dhe komisionerin për zgjerim, Stefan Fyle.

Sipas burimeve të BE-së, kjo vizitë ka për qëllim që zyrtarët evropianë personalisht të urojnë dhe falënderojnë kryeministrin Thaçi për kontributin e tij në arritjen marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ndërkohë, sot në Bruksel nis samiti dyditësh i shefave të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, ku në mesin e temave pritet të jetë edhe procesi i zgjerimit të BE-së.

Udhëheqësit e bllokut gjithashtu pritet të konfirmojnë edhe formalisht dhënien e statusit të kandidatit Serbisë, për anëtarësim në BE.

Të gjitha vendet e BE-së, përfshirë edhe Rumaninë, u kanë rekomanduar të martën udhëheqësve evropianë të miratojnë kandidaturën evropiane të shtetit serb.

Delegacioni rumun ka kundërshtuar vendimin për Serbinë, duke kërkuar përmirësimin e pozitës së pakicës vllahe në këtë vend.

Megjithatë, zyrtarët e BE-së pohojnë se tashmë ka harmoni në mesin e të gjitha shteteve anëtare se Serbia e ka merituar statusin e kandidatit dhe se i ka përmbushur kërkesat në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.

Këshilli i Evropës pritet të diskutojë edhe situatën ekonomike në Evropë, si dhe situatën në Siri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›