E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet Sabri Godo, sot homazhet në Kuvend

Dita e sotme është shpallur ditë zie pas vdekjes së politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godo ndërsa homazhet në nder të tij do të zhvillohen në hollin e sallës së parlamentit nga ora 12:30-14:30.Ditën e djeshme, shumë miq, kolegë, politikanë e personalitete kanë ngushëlluar familjen e politikanit Godo.
 

Kreu i shtetit, Bamir Topi, shprehu keqardhjen për vdekjen e Sabri Godos ndërsa e cilësoi atë si një politikan moderator në politiken shqiptare 20-vjeçare. Ai theksoi se Sabri Godo ishte një personalitet në fushën e kulturës dhe një emër me kontribute publike.
 

Kryeministri Berisha ka ngushëlluar dje familjarët e Sabri Godos ndërsa ka theksuar se ai këto 20 vite, me veprimtarinë politikë, u shndërrua në simbol të urtësisë, maturisë, mençurisë së politikanit. “Themeloi partinë e dytë opozitare në Shqipëri, e drejtoi atë me aftësi dhe mençuri të madhe. Godo dha një kontribut thelbësor në ligjet dhe procesin e ligjeve themelore të vendit” ka theksuar Berisha.
 

Edhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. ka shprehur ngushëllimet e saj. “Me ndarjen Sabri Godos nga jeta, familja humbi njeriun e dashur, bota e letrave një shkrimtar, ndërsa Partia Republikane, themeluesin e saj” ka theksuar Topalli.
 

Gjithashtu famijen Godo e ka ngushëlluar edhe kreu i socialistëve, Edi Rama i cili ka theksuar se Godo ka qenë e do të mbetet për ta një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare, i cili në momentet me te vështira të vendit, u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes.
Edhe Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka vizitoi dje shtëpinë e familjes Godo, për të shprehur ngushëllimet për humbjen e tyre.

Themeluesi i Partisë Republikane në Shqipëri, Sabri Godo ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 82- vjeçare
Ai ishte shtruar pak ditë më parë me urgjencë në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Pas trajtimit në terapi intensive ai ka marre mjekime në pavion, ndërsa vetëm pak ditë më parë ka lënë spitalin.
 

Sabri Godo, ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, e cila, në fakt, ishte serioze. Politikani, skenaristi dhe shkrimtari Sabri Godo ka mbajtur postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane të Shqipërisë, e themeluar prej tij në vitin 1991. Godo e ka drejtuar PR-në për 7 vjet. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›