E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nënshkruan Kushtetutën

Liderët e Kosovës nënshkruan dje Kushtetutën e re të vendit, duke i hapur rrugën kalimin të kompetencave nga UNMIK-u tek institucionet e rinj kosovarë. Dokumenti garanton mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve që ndodhen në Kosovë, një çështje kjo tepër kritike dhe e rëndësishme në planin ndërkombëtar. Kushtetuta do të miratohet më pas në Kuvendin e Kosovës, për të hyrë në fuqi në 15 qershor. “Me këtë po tregojmë se shteti dhe vendi ynë do të marrë të ardhmen në duart e veta. Qëllimi i kësaj kushtetute përveçse është juridik, është edhe më shumë fisnik”, tha kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Peter Fejt, theksoi se, si rezultat i punës së lodhshme të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në këtë proces, Kosova do të ketë një kushtetutë moderne, që ndër të tjera do të përmbajë dispozita të rëndësishme për decentralizmin dhe të drejtat e minoriteteve. “Unë e kam shqyrtuar dokumentin me kujdes dhe në pajtim me autoritetin tim unë e certifikova atë dhe jam i nderur që po e luaj rolin tim në këtë proces. Ky është padyshim një moment historik për Kosovën”, u shpreh ai. Ndërsa Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, tha se nënshkrimi i draftit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga anëtarët e Komisionit Kushtetues është kurorëzim i punës shumëmuajshe të këtij komisioni, të cilët meritojnë një falënderim të veçantë për përkushtimin e tyre. “Projektkushtetuta e Republikës së Kosovës dëshmon edhe një herë përkushtimin e institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës për të zbatuar në tërësi Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari, dhe në veçanti dispozitat që kanë të bëjnë më liritë dhe të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë”, theksoi Sejdiu, duke shtuar se këto të drejta e liri themelore janë të patjetërsueshme e të pacenueshme. Presidenti Sejdiu theksoi se institucionet e Kosovës do të respektojnë zotimin e tyre dhe fjalën e dhënë para popullit dhe para botës, se Republika e Kosovës do ta dëshmojë veten, duke zgjeruar kufijtë e lirive njerëzore dhe do jetë një shoqëri ku secili do të krenohet si qytetar i barabartë i shtetit të vet dhe i botës. “Kushtetuta e Republikës është vullneti ynë, sepse buron nga vullneti i qytetarëve të Kosovës. Kosova për herë të parë në historinë e saj po nxjerr kushtetutë sipas vullnetit të qytetarëve të vet”, u shpreh ndërkohë kryeministri kosovar, Hashim Thaçi. Sipas Kushtetutës, gjuhë zyrtare në Kosovë do të jenë shqipja dhe serbishtja. Ajo përbëhet nga 40 kapituj dhe 160 nene, dhe si e tillë e përcakton Kosovën si Republikë Parlamentare, duke avancuar rolin e presidentit të Kosovës, i cili do të jetë edhe komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›