E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunëtori i Don King promovon Gjetan Ketën në boksin profesionist

Gjermani

Pas shkëlqimit në kickbox, Gjetan Keta do të hyjë zyrtarisht në boksin profesionist. 26-vjeçari nga Bulqiza, do të zbresë në ringun e Hamburgut më 27 mars, në një sfidë përballë estonezit Leonti Vorontsuk. Keta do të ndeshet në mbrëmjen ku dueli kryesor është ai ndërmjet Denis Bakhtov dhe Shtefan Kreçman, e që do të transmetohet nga televizioni gjerman, “Sat 1”. Turneu organizohet nga promotori turk, Ahmet Wner, i cili është një prej bashkëpunëtorëve i të mirënjohurit “Don King”, mbretit të boksit falë të cilit kanë shkëlqyer disa prej emrave më të rëndësishëm të këtij sporti si Muhamed Ali, Majk Tajson, Xhorxh Foreman, Evander Holifild, Zhulio Sezar çavez, Andrev Golota, Feliks Trinidad, Roi Xhons Jr. dhe Lerri Holms.

Gjetan Keta është shpallur tri herë kampion i Gjermanisë në kickbox në peshën 72 kg, ndërsa ka mposhtur edhe kampionin e federatës MTBD, Kaj Gomolla dhe kampionin e federatës WJKA, Filip Ulsamer. Me paraqitjet e bëra në kickbox, por edhe si boksier amator, ai është evidentuar nga Wner, i cili përpara një muaji udhëtoi nga Hamburgu për ta ndjekur në stërvitje. Pasi e ka vëzhguar me kujdes, promotori turk ka deklaruar se i riu nga Shqipëria ka shanse të mira, që brenda një kohe shumë të shkurtër të duelojë me Feliks Shturm dhe Artur Abraham, dy boksierë mjaft të njohur në arenën ndërkombëtare për peshat e mesme. Por, më parë, Keta duhet të kalojë testin me estonezin Vorontsuk, një sportist me shumë përvojë në kicbox-in dhe thaibox-in (ku ka qenë edhe kampion) dhe që regjistron 64 përballje si boksier. Në anën tjetër, kjo do të jetë ndeshja e pestë për “luftëtarin” kuqezi në ringun e boksit, dhe e para si profesionist.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›