Sot lamtumira për plakun e urtë të politikës
Godo do të përcillet pas homazheve në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa qeveria shpalli orë zie, nga 12.30 deri në 14.30 të së dielës, kohë kur do të zhvillohen edhe homazhet ndaj të ndjerit
Homazhet për përcjelljen në banesën e fundit, të Sabri Godos, do të zhvillohen ditën e sotme në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa ish-deputeti, shkrimtari dhe një nga njerëzit kyç të politikës shqiptare do të përcillet po sot në banesën e fundit. Ndërkohë, Godo duket se ka “bashkuar” politikanët shqiptarë në këtë moment dhimbjeje, qoftë edhe vetëm për faktin se për të ngushëllimet dhe vlerësimet kanë ardhur nga të dy krahët.
Zia
Qeveria shqiptare ka marrë menjëherë dje pasdite vendimin për të përcjellë me nderime zyrtare Godon, duke ngarkuar për ceremoninë Ministrinë e Punëve të Jashtme, në varësi të së cilës është edhe protokolli i shtetit. Për Sabri Godon do të ketë vetëm dy orë zie, në mesditën e së dielës, ndërsa nderimet do të bëhen nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë. Vendimi i qeverisë parashikon uljen e flamurit në gjysmë shtizë, muzikë funebre në televizionin publik dhe një minutë heshtje në orën 14.30 për nder të të ndjerit.
Bashkimi
Ndërkohë, ndryshe nga Leka I, apo edhe më herët Ramiz Alia, ndarja nga jeta dhe vlerësimi i të cilëve nuk qe i njëjtë në mes politikanëve shqiptarë, vdekja e Godos është komentuar në të njëjtën mënyrë nga të gjitha palët. Edi Rama, që pati ngurruar të fliste për vdekjen e Alisë dhe më pas ruajti heshtjen edhe për largimin nga jeta të pretendentit për fronin mbretëror, Leka I, dje ishte ndër të parët që dërgoi mesazh ngushëllimi për Godon, duke e vlerësuar atë më vete dhe duket edhe më shumë se dy të tjerët.
Ceremonia
I cilësuar nga pjesa më e madhe e politikës si një nga figurat paqtuese dhe mjaft pozitive, Sabri Godo do të përcillet sot për në banesën e fundit, ndërsa qytetarët dhe të njohurit mund t’i bëjnë homazhe në mesditë në sallën e Parlamentit Shqiptar, ku Godo kaloi 7 vjet si deputet. Homazhet dhe ceremonia do të organizohen nga zyra e protokollit, ndërsa nuk janë përcaktuar detaje të nderimit të tij dhe mënyrës sesi do të procedohet.
Vendimi
1. Shpalljen zi kombëtare, nga ora 12.30 deri në 14.30, ditën e diel, datë 4.12.2011, në nderim të të ndjerit, z.Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar.
2. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 14.30 të mbahet një minutë heshtje.
3. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e diel, datë 4.12.2011, ora 12.30 deri 14.30, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
4. Radio-Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit funebër zyrtar, të transmetojë muzikë funebre.
5. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.
6. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Basha: Ikonë e mençurisë qytetare dhe urtësisë politike
Gjatë ngushëllimit në familjen Godo, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka vlerësuar maksimalisht figurën e Sabri Godos, i cili u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare.
"Ikonë e mençurisë qytetare, urtësisë politike dhe patriotizmit të vërtetë shqiptar. Do të na mungojë shumë", është shprehur kryebashkiaku Basha pas vizitës në familjen e të ndjerit.