Shuhet Safo Marko, e bija: Vdiq me penel në dorë
TIRANE- Aranita, e bija e Petro Markos, të kujton herë pas here të motrën e Gjergj Elez Alisë. Për vite të tëra është kujdesur për të ëmën e të vëllain, ashtu në heshtje, në apartamentin ku banonin përgjatë bulevardit "Zogu I".
Sot, kur Aranita i ka humbur të dy, edhe të vëllain edhe të ëmën, tregon se nuk është penduar. "Do i bëja edhe një herë nga fillimi, gjithë ç'bëra deri më tash". E ëma, piktorja Safo Marko, u shua pardje në mbrëmje. Dje në orën 13:00 u përcoll për në banesën e fundit, pa zhurmë e bujë. Kush e mori vesh, bëri një vizitë ngushëllimi, e kush jo, mbase do e bëjë këto ditë. E pyetur se pse e përcolli të ëmën kaq në heshtje, Aranita thotë me zë të ulët, se kush i deshi i shikonte më shpesh, i vizitonte më shpesh, e kush jo, s'kishte pse të shkonte në "homazhe". Në fakt, për piktoren nuk u bënë as homazhe. U panë disa kurora lulesh nga pushtetarët, po Aranita, nuk i do fare këto adetet sa për sy e faqe. Tek e fundit mirë bën, sepse kur artistët ikin, politikanët duket sikur thonë: "Vdis pa të të duam", rendin të flasin e të ngushëllojnë, rendin të dalin e të duken, ndonëse në të gjallë, s'janë kujtuar të të vlerësojnë. E, nga kjo pikëpamje, Safo Marko, iku në heshtje, ashtu siç jetoi.
Ëndërronte një shtëpi të madhe me oxhak, ku mbase në dimër t'i ulej ndanë e të hidhte ngjyra pa fund, në momentet e atij frymëzimit të pandalshëm, kur vrulli i gjenialit nuk ndalet. Ajo s'e pati kurrë atë shtëpi, veçse në ëndrrat e gjumit më të rëndë. E re, Safo Marko ka qenë një vajzë e bukur, sqimatare, plot finesë e elegancë, ajo ishte për të gjithë "europiania" e Petro Markos. Sot, prej çiftit kanë mbetur fotografi. Një syresh, do t'ua shkrepte një fotograf në mes të rrugës, vetëm se në sytë e tij ishin një çift i bukur. Një piktore e talentuar që kurrë nuk shkoi në Akademinë e Arteve. Pikturat e saj duken si ëndrra, ku femra është engjëll, është sirenë, është e fortë por edhe e brishtë, por sido që të jetë është femër, edhe kur është një plakë e kërrusur mbuluar me të zeza... Me sytë që ndjekin lëvizjet e njerëzve të ardhur për ngushëllim, Aranita mban në dorë një cigare, tymi i së cilës endet cep më cep në sallonin e vogël ku i pret vizitorët. Shtëpiza ku banon, ngjan të jetë shumë e madhe tashmë që është vetëm për të. Në ato dhoma ku pikturat e librat rrinë njëra pas tjetrës, janë kujtimet e pafundme që i stërmbushin hendeqet. Petro Marko, Safo e Jamarbër Marko, janë ende me të në ato qindra ditë të ngrysura bashkë. "Kam shumë për të bërë ende për Madunë dhe për nënën... Do nxitoj, siç nxitova për babanë", - pëshpërit ajo. Ndërsa flet me admirim e vlerësim për të ëmën, kujton se ajo, menjëherë pas çlirimit të vendit ka punuar si folëse në "Radio Tirana".
Realizuese e ilustrimeve pa fund për revistën "Fatosi" dhe ato të abetares së Kolë Xhumarës, vetë Safo sipas së bijës thoshte se "unë punoj për fëmijët edhe për shkak se nuk mund të gjej asgjëkund tjetër lirinë që kërkoj kur pikturoj. Tek figurat e të vegjëlve edhe mund të gjej liri, mund të lëviz me ngjyrat dhe format". Për punën e saj të pafundme Odise Grillo ka thënë: "Nëse do të mblidhen të gjitha ilustrimet e Safos, do të bëhej një unazë rreth Tiranës me flutura e zogj...".
"Nëna e donte shumë Timo Fllokon, i kujtonte Petro Markon e ri", - tha Aranita Marko.
PIKTURAT
Thuhet se njeriu e parandien fundin e vet, dhe mbase e njëjta gjë i ka ndodhur edhe Safos. Aranita tregon se ditët e fundit e ëma, qe tejet e lidhur me pikturat e saj: "Nuk i lëshonte nga duart punët, i pastronte, i mbulonte... Pikturonte mbi pikturat e vjetra, sepse s'kishte ku tjetër". Ndërsa e kujton të ëmën si një grua shumë punëtore, na thotë edhe se kur e pushuan nga puna, që nuk i jepnin më honorarë në revistë, ajo sërish punonte. "Ndonjëherë, i thosha se do t'i shisnim pikturat, sepse s'kishim para. Ajo nuk pranonte. 'Le t'i kesh ti, kur të jesh keq, kur të iki unë'. Nëna këtë pasuri më la trashëgim. Nuk kanë mbetur shumë, sepse siç e dini një numër të madh e kemi shitur për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike", - na thotë Nita Marko. Shumë prej veprave të saj të sjellin parasysh detin dhe bregun. Duket se e gjithë dashuria për të shoqin që e humbi, u kthye në vepra për fshatin e tij. "Pas burgosjes së babait dhe vëllait, ajo u bë keq. Mezi i përballoi këto probleme. E gjithë jeta e saj qe një kalvar i pafund", - sqaron e bija.
Më 4 shtator të vitit të kaluar, u nda nga jeta Madu (Jamarbër) Marko, i biri i Petro e Safo Markos. Ende pa u bërë një vit, shuhet edhe e ëma. Safo Markos, nuk i është treguar asnjëherë që i biri vdiq. Duket se për shkak të sëmundjes, as ajo, nuk e "kishte kuptuar sa duhet". Në pikturat e saj, femra është e brishtë, e bardhë, hyjnore, e dlirë. Ngjyrat duket se vallëzojnë në telajon, ndonëse janë njëra mbi tjetrën, sepse Safo Marko pikturonte mbi pikturat e veta, sepse i mungonin paratë për të blerë kanavacën. Në muajin mars, banka "Credins" i ka blerë familjes Marko 29 vepra të Safos, me të cilat do të çelë një ekspozitë në 100-vjetorin e Pavarësisë.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)