E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet Solzhenicini, kritiku më i ashpër i regjimit stalinist

Autori i Lajmit: red.
Solzhenicini vdiq në Moskë pas një infarkti. Ai ka qenë kritikuesi më i ashpër i regjimit sovjetik. Më vdekjen e tij bota humbet një nga njerëzit që gjithë jetën luftoi për vlerat e saj.

Me emrin e tij lidheshin shumë cilësi: gjigant i letrave, disident, luftëtar për të drejtat e njeriut, profet, instancë morale, paralajmërues. Në të gjithë botën ai u nderua për guximin e tij të kundërshtonte hapur diktatorët komunistë në Bashkimin Sovjetik. As kërcënimi, as dënimi me burg, as internimi nuk e ndalën atë të thoshte të vërtetën dhe të shkruante mbi atë që po ndodhte në bllokun lindor. Aleksandër Solshenicin, nobelist i letërsisë dhe autori i "Arkipelagut Gulag" vdiq në moshën 89-vjeçare.

Solzhenicini i hoqi vellon mitit të revolucionit
Interesi kryesor i Solzhenicinit ishin vlerat. Ai nuk e donte gënjeshtrën dhe e luftonte atë në formën e tij, me fjalën e shkruar. Komunistët nuk thonë të vërtetën për revolucionin e tetorit. Ishte Solzhenicini ai që i hoqi vellon mitit të revolucionit dhe e quajti okupimin e pushtetit nga ana e Leninit dhe e përkrahësve të Trockit grusht shteti. Për një kohë të gjatë pushtetarët në Kremlin bënë sikur shteti i parë i punëtorëve dhe i bujqve ishte parajsa në tokë. Solzhenicini shkroi në artikullin e tij "Në rrethin e parë të ferrit", në "Arkipelagun Gulag" dhe në vepra të tjera të vërtetën për jetën e miliona të pafajshmëve në burgjet e perandorisë së kuqe.

Pamje nga një kamp internimi në BRSS
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik pushtetarët e rinj rreziteshin në vetëkënaqësi. Sërish Solzhenicini ngriti zërin duke kritikuar paaftësinë për të stabilizuar ekonominë e vendit e fshikulluar kapitalizmin e xhunglës, që po shkatërronte pasuritë e Rusisë.

Një demokrat kritik edhe ndaj Perëndimit
Edhe për Perëndimin ai nuk ka qenë partner i lehtë. Ai ishte në të vërtetë demokrat, por nuk linte pa kritikuar anët negative të sistemit partiak. Ai paralajmëronte njerëzit në vendin e tij për të imituar në çdo gjë Perëndimin. Ai ishte kristian i bindur, anëtar i kishës ortodokse ruse. Shumë në Perëndim nuk e kuptonin saktë, nëse kisha ishte për pedantizmin moral që nuk përshtatej dhe aq me shpirtin e kohës. Për një jetë të tërë është poshtëruar shkrimtari me vështrimin serioz. Ai e përballoi këtë me qetësi dhe përqendrohej më tej me disiplinë shembullore në punë. Me kalimin e moshës ai filloi t i mënjanonte gjithnjë e më shumë mediat, televizionin apo gazetat.

Rusia humbet një patriot dhe Gjermania një mik
Me vdekjen e Solzhenicinit, Rusia humbet një patriot dhe Gjermania një mik. I paharruar mbetet fakti në vitin 1974, kur komunistët e dëbuan Solzhenicin. Aleksandër Solzhenicini erdhi pikërisht në Gjermani, ku u takua me mikun e tij, Hajnrih Bëlin. Ai e njihte dhe e donte kulturën gjermane dhe përpiqej sa të mundej t ua ofronte këtë fëmijëve të tij. Si pjesëtar i një gjenerate që kishte marrë pjesë në Luftën II Botërore, ai u përpoq gjatë gjithë jetës për pajtimin mes dy popujve të mëdhenj. Ai shkroi dikur: "Mua m u bë e qartë se kufiri që ndan të mirën nga e keqja nuk kalon mes shteteve, nuk kalon mes klasave as mes partive, por mes për mes çdo zemre njerëzore."

Ky lajm është publikuar: 05/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›