E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina, India dhe kriza ekonomike

Santaremi, në zemër të pyjeve të
amazonave në Brazil, është një
qytet i vogël e modest. Avulloret
e pasagjerëve ngjiten me dembelizëm
mbi rrjedhën e lumit Tapajos,
ndërsa çiftet e reja shëtisin dorë për
dore përgjatë bregut.
Qyteti do të ishte edhe më romantik
në rast se në panoramën e tij nuk do
të dukej një strukturë e kontrolluar
nga konglomerati ushqimor amerikan
"Cargill".
Struktura metalike ngrihet në qiell si
të qe qafa e një gjirafe, duke transportuar
pandërprerë tonelata e tonelata
sojë nëpër hangarët e anijeve në pritje
për t‘u ngarkuar. Anije gjigande nisen
çdo orë nga një zonë tjetër e amazonës
që gjendet rreth 600 kilometra më tej.
Që aty, ato nisen drejt Kinës.
Deri në fundin e shekullit të shkuar
soja qe praktikisht e panjohur për
truallin brazilian. Kjo deri në çastin kur
konglomerati ndërtoi strukturën për
të cilën po flasim, gjë që u shoqërua
me ardhjen në zonë të fermerëve të
sojës. Në atë kohë toka kushtonte më
pak, bankat jepnin kredi me interesa
të ulëta, ndërsa shitjet e kompanisë
"Cargill" qenë të garantuara.
Zonat përreth fshatrave, plantacionet
e kauçukut dhe tokat ku kullosnin
bagëtitë u transformuan në fusha për
rritjen e sojës. Fermerët nisën të zhvishnin
edhe hapësire gjigande pyjore,
deri në çastin kur ambientalistët arritën
t‘i vinin fre këtij fenomeni për një farë
periudhe. Në Mato Groso, rajoni më
i rëndësishëm bujqësor, prodhuesit
dhe aktivistët ambientalistë u morën
vesh për një moratorium dyvjeçar për
blerjen e sojës nga zona e amazonës.
"Por tani moratoriumi përfundon
dhe çmimet po rriten. Kryesisht ky
është rezultat i urisë së Kinës për lëndë
të para", thotë Pedro Jasyr Bongiolo,
presidenti i grupit "André Maggi", një
ndër prodhuesit më të mëdhenj të sojës
në botë.
"Kultura e vdekjes"
Nga Rio de la Plata deri në Amazonë,
kinezët po përpijnë tregjet e sojës. Pjesë
të konsiderueshme të shtetit Mato Groso
tani trajtojnë një kulturë të vetme e
ku prania e pesticideve është e konsiderueshme.
Gjatë sezonit pa shira, mes
gushtit e nëntorit, një re e dendur tymi
bie mbi Kuiaba, kryeqyteti i shtetit Mato
Groso. Pavarësisht ndalimit me ligj nga
qeveria, fermerët u kanë vënë flakën
pjesëve të konsiderueshme të pyjeve
për hir të hapjes së tokave të reja.
Në Argjentinën fqinje, një re e
dendur tymi arriti të errësonte qiellin
e kryeqytetit para dy javëve. Në këtë
rast bëhej fjalë për zjarre të vëna nga
blegtorët e zonës pranë lumit Panana.
Blegtorët kanë nevojë për kullota të reja
tani që pjesa më e madhe të kullotave
të dikurshme janë kthyer në terrene për
kultivimin e sojës. Edhe këtu prodhohet
sojë për llogari të tregut kinez.
Është bërë e qartë shumë shpejt
se kush humbet nga ethet e sojës. Në
Santarem, qindra fermerë të vegjël u
kthyen në të papunë në çastin kur ua
shitën tokat prodhuesve të sojës. Paratë
u shpenzuan me shpejtësi dhe tani e
shohin veten të zhytur në varfëri, duke
qenë se ka shumë pak vende pune.
"Soja është kultura e vdekjes", thotë
kryetarja e sindikatave Ivete Bastos.
Por janë të paktë ata që ua vënë veshin
deklaratave të tilla, veçanërisht jo në
Kinë, që gjendet rreth 16 mijë kilometra
larg. Brazili është njëri prej partnerëve
më të mëdhenj tregtarë të Kinës. Mes dy
vendeve janë nënshkruar kontrata afatgjata
për furnizimin e tregut kinez me
lëndë të para, dhe së fundmi, në mënyrë
të veçantë, produkte ushqimore.
Fuqia e re botërore, me popullsinë
e saj që i kalon 1.3 miliardë banorët,
duhet të marrë masa që edhe ajo vetë
të mos kthehet në një viktimë të krizës
globale të produkteve ushqimore, tani
që ka fituar betejën kundër varfërisë për
pjesën më të madhe të popullsisë. Por
njëherësh edhe India i është bashkuar
Kinës kur vjen fjala te pesha që ka në
cilësinë e tregut gjigand. Së bashku, dy
kombeve aziatike u duhet të ushqejnë
më shumë se një të tretën e popullsisë
botërore. Në këtë çast rritjesh të
çmimeve të produkteve ushqimore,
përmasat e të dyve i përkeqësojnë edhe
më tej gjërat.
Për t‘u përballur me këtë problem,
India ka vendosur të krijojë një rezervë
ushqimore. Statisticienët kanë llogaritur
se kërkesa për produkte ushqimore
rritet me 0.7% për çdo pikë përqindjeje
rritjeje të ekonomisë kineze. Sipas kësaj
llogarie, vetëm gjatë vitit të shkuar, kur
rritja e Indisë qe 7.5% për frymë, vendit i
nevojitej rreth 5.2% më shumë ushqim.
Situata është e ngjashme në Kinë. Blerja
e sojës në të gjithë globin është pasojë
e ndryshimeve në dietën ushqimore
të popullsisë. Më shumë se gjysma e
sojës e prodhuar në të gjithë botën sot
përfundon në Kinë.
Nuk është e vështirë të merret me
mend se ç‘mund të shkaktojë kjo situatë
në ato vende të varfra, kur që tani
mishi dhe gruri janë kthyer në lukse të
paprekshme, ndërkohë që revoltat e
nxitura nga uria kanë prirje të shtohen.
Raj Petel, autori i librit "Broçkulla dhe
Uri", hedh një sy kritik mbi industrinë
ushqimore globale dhe paralajmëron
se "ngjarjet në Haiti janë veç shenjat e
para e asaj që pritet të vijë".
Një pjesë e mirë e sojës botërore
shitet në Bordin e Tregtisë së Çikagos.
Megjithëse aty vështirë se të zë syri
kinezë, janë në qendër të çdo bisede. E
përpijnë tregun çdo ditë si të "kishin një
fshesë gjigande", thonë tregtarët.
Komisioni i Reformave dhe Zhvillimit
Kombëtar në Pekin ka detyrën
e mbajtjes së krizave nën kontroll. Ai
shpreson që të ulë rritjet e çmimeve,
duke ulur taksat për mallrat e importit,
por rezultatet nuk kanë të kënaqshme.
Në një supermarket të Chongqingut
lajmi se po shitej vaj gatimi me çmim të
lirë shkaktoi dyndje të paparë blerësish
gjë që u pasua me tre të vdekur e 31 të
plagosur.
Kryeministri kinez, Ven Xhiabo, u
përpoq të qetësonte vetveten dhe të
gjithë kinezët kur tha: "Me grurin në
dorë nuk ka përse të na zërë paniku".
Por qeverisë i duhet të përballet me
nevojën për të qetësuar fenomenin e
boshatisjes së dyqaneve. Edhe në Hong
Kongun e pasur banorët boshatisën
raftet gjatë një sulmi blerjesh në shtysën
e panikut. Për t‘i shtyrë njerëzit
që të heqin dorë nga kjo sjellje nëpër
televizione shfaqen vazhdimisht pamje
fushash plot drithë e dyqanesh me raftet
e mbushura deri në majë.
Kina investon në Afrikë
Përgjatë përpjekjeve për të rivendosur
qetësinë, Ven shprehet se Kina
është në gjendje të përballojë pjesën
më të madhe të nevojave të brendshme
dhe se në rezervat qeveritare gjenden
40-50 milionë tonë drithë. Por diferenca
mes kërkesës e ofertës është 10 për
qind, që do të thotë se vendit i duhet të
importojë oriz për 130 milionë njerëz.
Diçka e tillë është bërë shumë e vështirë
pasi shtetet eksportuese, Tailanda,
Indonezia dhe Vietnami kanë ulur
shkallën e eksporteve për të përmbushur
nevojat e veta.
Që nga janari, Kina ka bllokuar gjithashtu
edhe eksportet e grurit. Duke
kontrolluar eksportet, duke subvencionuar
fermerët dhe duke mbajtur
nën kontroll çmimet, Kina mendon
të mbajë nën kontroll furnizimin me
ushqim të popullsisë. Qeveria ka arritur
deri në atë pikë sa të monitorojë fushat
e drithit për të mos lejuar që të kthehen
në terrene ndërtimi.
Por asnjë prej këtyre masave nuk
do të jetë e frytshme në afate të gjata.
India, e cila përballet me rritjen e
popullsisë dhe pakësimin e terrenit
bujqësor, po varet gjithnjë e më shumë
nga importet.
Kina është shumë e zënë nga këto
probleme. Ekspertët e Ministrisë së
Tregtisë kanë sugjeruar që të nisin
investimet në Azinë Juglindore dhe në
Afrikë, ku mund të ngrihen ferma për
të përmbushur nevojat e popullsisë për
drithë. Që tani ekspertët kinezë kanë
nisur të trajnojnë fermerë në këto zona
për rritjen e sasive të prodhimit.
Më shumë se dhjetë vite më parë,
fermerë kinezë morën në dorë rreth një
duzinë fermash të mëdha në Zambia.
Ata gëzojnë mbështetje bujare nga
qeveria, paguajnë shumë pak taksa
dhe pritet të sjellin risi për të stimuluar
prodhimin lokal.
Në Ugandë, qeveria e Presidentit
Overi Musevini, u ka lënë në dorë 400
fermerëve kinezë rreth 4 mijë hektarë
tokë buke. "Ne sjellim përvojë dhe pajisje
moderne", thotë me entuziazëm
Liu Xhianxhun, kryetari i Aleancës
Ekonomike Afrikano-Kineze.
Në të kundërt të Kinës, India, gjatë
viteve nëntëdhjetë ndërmori reforma
tregu që shtynë qindra mijëra fermerë
të hynin nën varësinë e korporatave
shumëkombëshe. Iu këshillua të besonin
se arritjet e inxhinierisë gjenetike
do t‘u zgjidhnin problemet, duke bërë
që shumë syresh të hiqnin dorë nga
produktet ushqimore dhe të hidheshin
në prodhimin e pambukut. Por këto lloj
bimësh janë shumë të varura nga pesticidet,
të cilat kushtojnë shumë shtrenjtë,
gjë që ka çuar një numër shumë të
madh të fermerëve drejt falimentimit e
madje edhe drejt vetëvrasjes.
India është ende shumë larg
shkëputjes nga varfëria. 70 për qind e
indianëve banojnë nëpër fshatra, më së
shumti në varfëri të plotë. Vështirë se
sot prodhojnë më shumë drithë se në
vitet shtatëdhjetë, kur vendi deklaroi
për herë të parë se qe i pavarur për sa i
përket bukës. Por që atëherë popullsia
indiane është dyfishuar.
Që nga janari, çmimet e ushqimeve
janë rritur me 40% në Indi, ndërsa inflacioni
është në nivelin 7%. Gjendja
ka vënë në rrezik qëndrimin e qeverisë
aktuale në pushtet. Ndërkaq grupet
maoiste kanë përfituar nga pakënaqësia
në rritje e fermerëve, madje edhe
kanë vendosur administratat e veta në
një numër në rritje distriktesh.
Njëherësh India po përpiqet t‘i sigurojë
importet e produkteve ushqimore
përmes marrëveshjeve bilaterale, siç
janë ato të nënshkruara me Kazakistanin.
Përveç kësaj, vendi ka ndër mend
të investojë fort në Afrikë, sipas fjalëve
të Kryeministrit Sing. Në fillim të marsit
ndaluan eksportin e thuajse çdo lloj
orizi. Si rezultat të korrat e sivjetshme,
ndër më të mirat e këtyre viteve të
fundit, nuk janë hedhur në tregun botëror.
Orizi, ushqimi më i rëndësishëm
për 4 milionë njerëz në Afrikë dhe Azi,
në disa raste po shitet më shumë se
njëmijë dollarë për ton. Spekuluesit
dhe prodhuesit e mëdhenj janë ata që
po përfitojnë më shumë nga gjendja
aktuale e tregut: nga reduktimi i sasive
për shkak të ndalimeve të eksportit,
te shtimi i çmimeve të produkteve në
gjendje, e deri te ndryshimet në Indi
e Kinë që po ndikojnë në të gjithë
ekonominë globale. Dhe nuk duket se
këto probleme e kanë ndonjë zgjidhje
të mundshme.
Orizi është bërë aq i çmuar sa ka
nxjerrë në skenë një fenomen krejt të
ri. Për shembull, në Tailandë thjesht
zhduket nga fusha.
Vjedhësit, të cilët shfrytëzojnë
errësirën për të ushtruar aktivitetin
e tyre janë gjithandej. Një fermer në
provincën Sing Buri, për shembull,
mbërriti një mëngjes në fushën e vet të
orizit dhe zbuloi se qe korrur i tëri e qe
marrë me vete. Ai tha se duhet të ketë
qenë një skuadër e tërë dhe se duhet të
kenë pasur edhe traktorë: "Kur çmimet
janë të ulëta nuk fitojmë asgjë, kur janë
të larta na vjedhin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›