E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shuhet legjendari Luis Suarez Miramontes

Futbolli spanjoll dhe ai evropian është në zi, pasi është ndarë nga jeta një nga figurat ikonë që bëri histori, edhe si lojtar, edhe si trajner. Fituesi i Topit të Artë në vitit 1960, i cili konsiderohet si lojtari më i mirë spanjoll, Luis Suarez Miramontes, u shua këtë këtë të diel në moshën 88-vjeçare. Ai ishte dhe mbetet i vetmi lojtar spanjoll që ka fituar Topin e Artë deri më sot, përpos Aleksia Putejasit në futbollin e femrave.

Me një karrierë të jashtëzakonshme, Luis Suarez u bë figura më e dashur në futbollin botëror, duke dhuruar emocione të shumta në fushën e blertë. Ai e nisi karrierën tek Deportivo La Korunja, për të kaluar më pas te Barcelona, ku shpërtheu dhe shpalosi gjithë potencialin e tij. Për 7 sezone me katalanët, ai fitoi dy tituj të kampionit të La Ligës spanjoll, ndërsa arritja e tij më e rëndësishme ishte Topi i Artë i vitit 1960.

Kjo e çoi Suarezin drejt një tjetër hapi në karrierë, pasi firmosi pas një viti me Interin, aty ku u shndërrua në një legjendë. Me zikaltërit, spanjolli fitoi 3 tituj të kampionit të Serisë A dhe 2 Kupa Ndërkontinentale. Një karrierë brilante që ai e shfaqi edhe në përfaqësuesen spanjolle të futbollit, teksa me Luis Suarez si protagonist, Spanja fitoi kampionatin e parë Evropian në historinë e saj në vitin 1964.

Si trajner, ai drejtoi nga stoli ekipe si Interi, Sampdoria dhe Kaljari, për t’u pasuar me uljen në stol të përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Spanjës, ku arriti të shpallet “kampion i Evropës” në vitin 1986. Më pas ai mori drejtimin e përfaqësueses së të rriturve, që e udhëhoqi për 3 vite, mes të cilave në Botërorin e vitit 1990.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›