E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet shqiptari i madh Arbër Xhaferi

Kombi shqiptar ka humbur një nga personalitetet më të mëdhenj të tij

Kombi shqiptar ka humbur dje një nga personalitetet më të mëdhenj të tij, Arbër Xhaferin. Në moshën 64 vjeçare ish-lideri i Partisë Demokratike Shqiptare dhe kryetar i Kuvendit të përgjithshëm të kësaj partie, Arbën Xhaferi u shua dje rreth orës 16:00, në një spital të Shkupit. Ish-lideri Xhaferi u gjet në gjendje kome një javë më parë në banesën e tij në Tetovë, pas një hemorragji cerebrale në tru. Ai menjëherë është dërguar në Spitalin Klinik të Shkupit ku mjekët bënë përpjekje për shpëtimin e jetës së tij, por pa rezultat. Kohëve të fundit Xhaferi 64 vjeçar vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte shkak për largimin nga politika aktive. Në ora 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë do të mbahet ceremoniali mortor, ku do të bëjnë homazhe të afërm, miq, personalitete nga fusha të ndryshme, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në ora 13.30 për në varrezat e qytetit të Tetovës.
Profili i Arbën Xhaferi
Arbën Xhaferi gati dy dekada me radhë ka qenë një nga figurat qendrore politike në Maqedoni. Në skenën politike në Maqedoni u paraqit në vitin 1993, pak kohë pas pavarësimit të vendit dhe aplikimit të pluralizmit partiak. Pas disa viteve veprimtari gazetareske dhe intelektuale në Kosovë, ai u kthye në Tetovë duke u zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare të sapoformuar. Këtë parti Xhaferi e udhëhoqi deri në vitin 2007, kur u zëvendësua nga kryetari aktual Menduh Thaçi. Në cilësinë e kryetarit të PDSH-së, Xhaferi në vitin 2001 ishte në mesin e nënshkruesve të marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje të cilën më vonë shpeshherë e ka kontestuar, për shkak të implementimit në ngadalshëm të saj. Më tepër se si politikan, Xhaferi gjithmonë është çmuar si një nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë, jo vetëm në Maqedoni por edhe në Shqipëri dhe Kosovë.  Analizat dhe pikëpamjet e tij për zhvillimet në shoqërinë shqiptare në Ballkan, të shprehura në intervista dhe tekste autoriale, gjithmonë kanë ngjallur debate në qarqet intelektuale.
Arbën Xhaferi gati dy dekada me radhë ka qenë një nga figurat qendrore politike në Maqedoni. Në skenën politike në Maqedoni u paraqit në vitin 1993, pak kohë pas pavarësisë së vendit dhe aplikimit të pluralizmit partiak. Pas disa vitesh veprimtarie gazetareske dhe intelektuale në Kosovë, ai u kthye në Tetovë duke u zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare të sapoformuar. Këtë parti Xhaferi e udhëhoqi deri në vitin 2007, kur u zëvendësua nga kryetari aktual Menduh Thaçi. Në cilësinë e kryetarit të PDSH-së, Xhaferi në vitin 2001 ishte në mesin e nënshkruesve të marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje të cilën më vonë shpeshherë e ka kundërshtuar, për shkak të implementimit në ngadalshëm të saj. Më tepër se si politikan, Xhaferi gjithmonë është çmuar si një nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë, jo vetëm në Maqedoni por edhe në Shqipëri dhe Kosovë.  Analizat dhe pikëpamjet e tij për zhvillimet në shoqërinë shqiptare në Ballkan, të shprehura në intervista dhe tekste autoriale, gjithmonë kanë ngjallur debate në qarqet intelektuale. Xhaferi është një mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë dhe është i njohur për thirrje për ndryshim në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Arben Xhaferi është autori i 2 librave që fokusohen mbi minoritetin shqiptar ne Maqedoni “The DPA Non-Paper”, dhe Sfidat e demokracisë në shtetet multietnike.

Berisha: Humbëm një shqiptar të madh
Kryeministri, Sali Berisha ka përcjellë mesazhin e tij të ngushëllimit familjarëve dhe të afërmve për ndarjen nga jeta të ish-liderit, Arbën Xhaferi. Me ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferit bota e mendimit dhe elita politike e kombit humben njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit, vlerat dhe kontributi thelbësor i të cilit në emancipimin kombëtar dhe shoqëror të kombit tonë janë një trashëgimi tejet e çmuar që meritojnë mirënjohje të thellë të të gjithë shqiptarëve për sot dhe brezat që vijnë, shkruan Berisha në mesazhin e tij.
Por në këtë ngushëllim kreu i qeverisë shqiptare ka listuar një sërë vlerash të këtij personaliteti të shquar. Duke ndarë me ju dhimbjen e thellë, pikëllimin e madh për njeriun tuaj të dashur, mikun tonë të çmuar, liderin, politikanin, parlamentarin, studiuesin që i përkushtoi jetën, mendjen dhe të gjithë energjitë e tij mbrojtjes së lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe kudo në rajon. Në emër tim dhe të qeverisë shqiptare ju shpreh të gjithë ju ngushëllimet më të sinqerta. Lutem së bashku me ju që shpirti i madh i Arbën Xhaferit  të gjejë paqen e merituar dhe vepra e tij e ndritur të frymëzojë shqiptarët për të shndërruar në realitet idealet e tij fisnike, njerëzore dhe kombëtare, përfundon mesazhi i ngushëllimit i Kryeministrit Berisha.

PDIU dhe AK për Xhaferin
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shpreh ngushëllimet e sinqerta për humbjen e patriotit, politikanit e publicistit te madh Arbën Xhaferi. Humbja e njërit prej udhëheqësve më të palodhur të kombit shqiptar në tërësi e të shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti përbën një moment zie në historinë moderne të kombit. Sot të gjithë zotohemi që të çojmë përpara idealet e Arbën Xhaferit për bashkim kombëtar si mënyra më e mirë për të respektuar kujtimin e tij, shkruhet në mesazhin e ngushëllimit të PDIU-së. Edhe Aleanca Kuq e Zi ka ngushëlluar familjen e Arben Xhaferit. Në mesazhin ngushëllues të saj AK shprehet se sot është ndarë nga jeta dhe nga ne rilindasi i madh dhe mendja më e kthjellët politike në trojet shqiptare.

Topi: Arbën Xhaferi ishte
një rilindas i kohëve moderne
Ish- presidenti Bamir Topi reagoi pas lajmit për ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferit. Topi e quajti Xhaferin një rilindas të kohëve moderne. Arbën Xhaferi ishte një intelektual i klasit të lartë, një rilindas i kohëve moderne, një zë qytetar mendjehapur dhe më profil evropian e perëndimor. Humbja e tij është humbje kombëtare. Çdo shqiptar ndjehet në trishtim për qytetarin, filozofin, krijuesin, mendimtarin dhe politikanin Arbën Xhaferi. Fat që e kemi njohur, lexuar e dëgjuar, tha Topi.

Rama: Arbën Xhaferi hapi rrugë
të pashkelura për shqiptarët
Lideri i opozitës, Edi Rama, vlerësoi lart figurën e Arbën Xhaferit, pas lajmit për vdekjen e tij. Në një mesazh të tij, Rama tha se Arbën Xhaferri ishte një shqiptar jotipik që tha të vërteta të mëdha e hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale! Vdekja e tij, një humbje e madhe për botën shqiptare në disa përmasa që veç Arbën Xhaferi i mishëronte në një njeri të vetëm. U prehtë në paqe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›