E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje në bregdet, aksioni i madh në shtator

Të paktën, këtë premtoi sot kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë, duke deklaruar se ligji do të zbatohet me rigorozitet në këtë drejtim.

“Unë jam këtu sot për tu dërguar një mesazh të gjithë atyre që marrin përsipër të rrënojnë brigjet e vendit, unë ju jap fjalën e nderit se 1 shtatori do të shënojë zbatimin më rigoroz të ligjit nga Ksamili deri në Velipojë. Të babëzitur që ndërtoni në rërë tregoni se morali juaj është inekzistent , në një kohë kur ke një sipërfaqe të pafundme ku mund të ndërtosh. Ato plazhe, nuk janë jetime dhe unë ju garantoj ju se ju që ndërtoni aty dhe ata që ju bëjnë ju sehir do të jenë përgjegjës. Shikon një zonë të tërë të ndërtuar dhe sheh që del çibani në rërë, si e si të rrënojë plazhin dhe hapësirën, sesi të pushtojë një sipërfaqe që është tërësisht e publikut”, tha Berisha.

Ai kërkoi që ndërtimet pa leje të prishen vetë nga pronarët e tyre, në të kundërt do të paguajnë edhe prishjen e tyre. “Thirrja imë është kjo: Prishini vetë në mënyrë që të përdorni edhe materiale që keni aty sepse ato do të kenë vetëm një fat, ligjin dhe vetëm ligjin. Dhe unë do ti qëndroj fjalës time. Sidomos në bregun Jon, por edhe në atë Adriatik. Perlat janë perla, po shkove dhe i vure  një njollë të zezë aty, i bën njerëzit të kthejnë kokën, ndaj edhe njëherë mos shpenzoni para, të nderuar zotërinj, të babëzitur deri në palcë, sepse me qetësimin e sezonit, me rënien  e fluksit turistik, e gjithë forca e ligjit do të veprojë mbi ndërtimet tuaja, dëshmi e  një babëzie të shpërfytyruar, prishini vetë se do të paguani edhe për prishjen  e tyre. Një dekret i veçante do të përgatitet nga ministria  e punëve publike dhe ministria e drejtësisë për të qëndruar me të gjithë forcën  e ligjit ndaj këtyre pak njerëzve që duan tu shkatërrojnë shqiptarëve një pasuri përrallore që e kanë nga Zoti”, tha kryeministri. /Start/

Kryeministri Berisha, duke vlerësuar sezonin turistik në vend, tha se gjatë kësaj vere janë punësuar në këtë sektor 190 mijë persona. Berisha tha se janë 277 mijë më shumë turistë gjatë 7 muajve të parë të vitit se një vit më parë. “Të gjithë ata që udhëtojnë nga Velipoja në Ksamil konstatojnë morinë e jashtëzakonshme të vendeve të punës që funksionojnë në këtë sektor. Nga Velipoja në Ksamil kurrë nuk ka pasur një dyndje të tillë turistike". Berisha tha se këto arritja në sektorin e turizmit janë falë investimeve të shumta të Qeverisë duke nënvizua se "në tërësi këtë vit janë investuar në turizëm rreth 220 milionë euro të shpërndara në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizime e energji".

Për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Kryeministri Berisha falënderoi edhe autoritetet vendore për angazhimin dhe punën e tyre ndërsa deklaratat e kreut të PS-së, Edi Rama për turizmin, i cilësoi  të bazuara në gënjeshra.  "Ai dhe kasnecët e tij, hedhin baltë duke cituar qytetet, fakt ky që nuk i bën nder PS-së dhe askujt. Nuk mund të mohojnë angazhimin e vendorëve. Ata të cilët sulmojnë Vangjushin për Durrësin, e kanë me ligësi. Tu biesh sirenave që ra numri i pushuesve në plazh, ku jo vetëm nuk janë pakësuar por janë shtuar me 40-60% është e patolerushme. Ky breg është për tu zbuluar, është për tu zhvilluar", u shpreh Berisha. Start/

                                                                                             2012-08-16 15:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›