Qeveria e opozita nisin garën e deklaratave se kush ka më shumë miliarderë
Ditët e nxehta të gushtit po shoqërohen me debatin mes dy kampeve për çështjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë. Të dy selitë e kanë kthyer në rutinë të përditshme në deklarata apo kundërdeklarata për këtë çështje që dështoi me 6 gusht për mungesë të konsensusit. Nga selia rozë deputeti Blendi Klosi akuzoi kryeministrin Berisha se me mosdhënien konsensus për ndryshimet kushtetuese që lidhen me emërimet në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, kreu qeverisë kërkon të mbajë të uzurpuar sistemin e drejtësisë. Nuk vonoi shumë dhe zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi sulmoi kreun e opozitës dhe deputetët e PS se po pengojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
Akuzat e opozitës
Deputeti Klosi deklaroi se kryeministri Berisha gënjen popullin dhe fajëson opozitën për të mbuluar zullumet e tij, ndërsa shton se Kryeministri nuk do drejtësi para qytetarëve dhe nuk njeh pavarësi të institucioneve, duke sjellë në vëmendje shkarkimin e Kreut të SHISH. Ndërkaq Klosi nuk ka nguruar ta quajë gënjeshtar Kryeministrin edhe kur flet për arritje në turizëm, ndërsa shtoi se Berisha akuzon dhe shpif për deputetët e opozitës dhe nuk flet për miliarderët e qeverisë së tij, pasanikë me prona, pasanikë me pushtet. “Saliu shpif për kufizimin e imunitetit teksa refuzoi në mënyrë të hapur të votonte projektligjin e dakordësuar nga njëra anë, dhe paketën e garancive për pavarësinë e drejtësisë nga ana tjetër. Dështoi sepse qëllimi i tij është i qartë: Sali Berisha nuk do një drejtësi të pavarur në shërbim të shqiptarëve, por një sistem drejtësie të gjunjëzuar përpara pushtetit të tij dhe në shërbim të familjes së tij. Sali Berisha nuk e njeh konceptin e pavarësisë së institucioneve. Njësoj siç vendosi një ushtar e shërbëtor në karrigen e Presidentit të Republikës, njësoj po vepron edhe me Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, tha Klosi.
Reagimi i PD-së
Pas kësaj deklarate të deputetit Klosi i menjëhershëm ishte reagimi PD nëpërmjet zëdhënëses së saj Silvi Bardhi e cila sikurse edhe në daljet e mëparshme publike akuzoi direkt kreun e opozitës Rama si shkaktarin e një dështimi të tretë të mundshëm në marrjen e statusit të vendit kandidat. “Rama dhe miliarderët imunitarë të Partisë Socialiste, që i bllokojnë për të tretin vit me radhë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, dëshmojnë qartë dhe përfundimisht se ata nuk mund të pranojnë kurrsesi heqjen e imunitetit sepse janë të tmerruar nga origjina e qindra miliarda lekëve të kupolës së Partisë. Çdo qytetar konstaton se Rama dhe zëdhënësit e tij, bllokimin e heqjes së imunitetit dhe të marrjes së statusit të vendit kandidat po e gërshetojnë këto ditë me mbrojtjen fanatike të përditshme të pasurive të miliarderëve në krye të Partisë Socialiste dhe origjinës së këtyre pasurive nga fshehja e taksave, kontrabanda, trafiqet kriminale, ndërtimet pa leje dhe grabitja e pronave. Rama dhe zëdhënësit e tij kanë harruar dhe nuk flasin më për rrogat, pensionet, punësimin dhe ndihmën ekonomike që janë dhe interesat jetike të qytetarëve të thjeshtë”, tha Bardhi. Intensiteti të tilla deklaratave duket se do të vijojë gjatë muajt gusht, që zakonisht njihet si një muaj i thatë me lajme nga politika. Me të vetmin ndryshim, protagonistë të daljeve publike para medias, do të jenë zëdhënësit e partive përkatëse që do të përcjellin.