Shullazi pranon akuzën, tenton lirimin nga burgu

Emiljano Shullazi
Akuza për armë e maska, personazhi sparaqitet në gjyq, shkon avokati.
Emiljano Shullazi dhe shoku i tij, Gilamando Dani, të arrestuar në nëntor të vitit 2011 në Tiranë për armëmbajtje pa leje, kërkuan gjykim të shkurtuar në Gjykatën e Tiranës. Kërkesa u paraqit nga avokatët dje në seancën e parë në ngarkim të Shullazit dhe Danit, të njohur si miq mes tyre, madje të arrestuar disa herë së bashku. Gjykata do të shprehet në seancën e 28 marsit 2012 për pranimin apo refuzimin e kërkesës, e cila do ti siguronte të akuzuarit uljen e një të tretës së dënimit në fund të procesit. Përmes kësaj kërkese, Shullazi, emri i të cilit është lakuar ditët e fundit si miku i Arlind Fugës që u ekzekutua pak ditë më parë në Tiranë, dhe Dani tentojnë përfitimet e këtij lloj gjykimi. Kërkesa në fjalë u artikulua në seancë përmes mbrojtësve ligjorë të të pandehurve. I pranishëm në sallën e gjyqit ishte vetëm i pandehuri Dani, kurse Shullazi nuk u paraqit në gjyq. Avokatët pretenduan përpara kryesuesit të seancës, gjyqtari Martin Deda, se çështja gjyqësore mund të zgjidhej në gjendjen në të cilin ndodhen aktet. Nga ana e tij, prokurori i çështjes i kërkoi

Gilmando Dani
gjykatës rrëzimin e kërkesës. Në vijim, gjykata ndërpreu gjykimin dhe e shtyu seancën për në datën 28 mars, ku do të shprehet në lidhje me këtë kërkesë. Nëse gjykata e pranon kërkesën dhe nëse të pandehurit Shullazi dhe Dani deklarohen të fajshëm nga gjykata, në masën e dënimit përfundimtar ata përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit. Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani u arrestuan më 8 nëntor 2011 në rrugën Stavri Themeli. Këtë mbrëmje, një patrullë policie e Komisariatit Nr. 2 kishte marrë njoftim se tre persona të dyshuar dhe të njohur për precedentë penalë po udhëtonin në një mjet me ngjyrë të zezë me targë TR2703L. Pas dhënies njoftim për të ndaluar nga patrulla e policisë, automjeti ndaloi dhe prej saj një person është larguar me vrap, kurse dy personat e tjerë, i arrestuari Emiljano Shullazi, i cili mbante një armë pistoletë e tipit Glok në brez pa leje të organeve kompetente dhe 16 fishekë, si dhe i arrestuari Gilmando Dani janë shoqëruar dhe arrestuar në flagrance, rrëfehej në vendimin e masës së sigurimit arrest me burg ndaj tyre. Në seancën e caktimit të masës së sigurisë, Shullazi mohoi pronësinë e armës së sekuestruar nga policia. Pronësia e armës u pretendua nga i pandehuri Dani. Në Gjykatën e Tiranës, Shullazi dhe Dani po gjykohen për akuzat e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit dhe për moskallëzim krimi. Në rast aplikimi të gjyqit të shkurtuar, Shullazi rrezikon lirimin e menjëhershëm, pasi veç uljes së gjysmës të dënimit të parashikuar nga ligji, përfiton edhe nga mbi 4 muaj paraburgim, që llogariten 1 ditë izolim me 1.5 ditë dënim.
ARMAND BAJRAMI