Shultz: Zgjedhja e presidentit duhet të jetë për popullin, pastaj për botën
Zgjedhja e presidentit duhet të jetë një vendim i pranueshëm për popullin, dhe më pas edhe për botën, pasi ai ka një rol të rëndësishëm në drejtim e vendit, por edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në Europë.
Këto deklarata i ka bërë presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shultz, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm, njëkohësisht zv/kryeministrin shqiptar Edmond Haxhinasto në Bruksel.
“Zgjedhja e presidentit në një moment, kur në vend ka jo pak probleme, është e nevojshme dhe ne shpresojmë që vendi do të gjejë një president, duke ditur gjithashtu influencën e madhe që ai ka në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Pra zgjedhjet luajnë një rol madhor për kredibilitetin e rolit të presidentit brenda vendit dhe përmes tij, luan gjithashtu rol në kredibilitetin e përfaqësimit të jashtëm të vendit”, u shpreh presidenti i PE-së.
Martin Shultz thekson se, zgjedhja e kreut të shtetit është një pikë e rëndësishme, por nuk zëvendëson reformat e integrimit, ndaj apeloi që Shqipëria të përmbushe angazhimet në mënyre që të bashkohet sa me shpejt me familjen e madhe Europiane.
“Procesi i reformave është i domosdoshëm lidhur me përafrimin e vendit me Bashkimin Europian. Zgjedhja e presidentit është një element në jetën e një vendi, por nuk mund të zëvendësojë hapa të tjerë të domosdoshëm që janë në vijim”, – ka thënë presidenti i PE-së, Shultz.
Ndërsa, ministri Haxhinasto, duke i shprehur mirënjohjen presidentit të Parlamentit Europian për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit, e siguroi për angazhimin e Shqipërisë në përmbushjen e reformës elektorale dhe zgjedhjen e presidentit. /E.L/