Massimo Palumbo,
Është mjeshtër në profesionin e tij dhe një zotëri i vërtetë në jetë. Që në pamje të parë të jep përshtypjen e një njeriu që i ka pasur të qarta objektivat e tij që hershëm, edhe pse të qenit artist, instrumentist dhe kompozitor njëherazi mund ta përfshijnë herë pas here në vorbulla jo shumë të kthjellëta krijimtarie. Por kjo është një gjendje kalimtare, që zakonisht rrok të gjithë artistët në procesin krijues. Mjeshtri për të cilin po flasim është një emër shumë i njohur në botën e muzikës italiane, europiane e më gjerë. Është një emër që mbart një pasuri të jashtëzakonshme artistike, duke filluar që nga shumëllojshmëria e shkollave të artit që ka ndjekur dhe në të cilat është specializuar e deri te repertori i pafund, krijimtaria, koncertet dhe çmimet që ka marrë gjatë karrierës së tij. E megjithatë është shumë i ri, çka do të thotë se kohën për t‘u përsosur dhe arritur më të mirën e ka të gjithën përpara. Massimo Palumbo fillimisht u diplomua për piano shkëlqyeshëm në konservatorin "Xh. Verdi" të Milanos dhe që nga ky moment ai ftohet të marrë pjesë në shumë veprimtari të rëndësishme në rajon, ndër të cilat koncerti me të famshmin Artur Rubinshtein në Tel Aviv. Madje, në këtë koncert ai u paraqit me statusin e talentit më të ri pianistik në Itali. Që nga ajo ditë kanë rrjedhur shumë vite, kohë të cilën Palumbo e ka ndarë mes dashurive të mëdha të jetës së tij, pianos, kompozimit, dirigjimit, duke ngulmuar gjithmonë përsosjen profesionale. Këtë e ka bërë përmes përftimit të shumëllojshmërisë së klasikes dhe modernes në shkolla dhe specializime të ndryshme. Ka studiuar me Martha Argerich, Jean Micault apo Daniel Bairemboim, të gjithë këta emra të rëndësishëm të botës së muzikës botërore. Ndërkaq nuk ka hequr dorë nga krijimtaria dhe loja në piano, që nuk kanë vonuar ta shpërblejnë me frytet e çmimeve të merituara. Një çmim është vetëm momenti i fundmë i një përpjekjeje të gjatë, të hershme, i një këmbënguljeje personale dhe profesionale që kërkon mund, por që jep një sadisfaksion shumë të madh. Në rastin e artistit është një kënaqësi me përmasa shumë të mëdha, sepse një artist e merr frymëzimin nga të tjerët dhe e ndan me ta, këtë herë në formën e një krijimi të përpunuar që mban vulën e emocioneve dhe laboratorit krijues personal. Massimo ka provuar shumë kënaqësi shpërblyese të punës si tij, si çmimin e parë "Stressa" në vitin (1986), atë të Muzikës së Dhomës në Capri (1987), çmimin e veçantë për sonatën e Bethovenit në Ferrucio Busoni të Bolzanos (1987), apo çmimin e parë "Giovani Solisti" në Monako të Bavarisë në vitin 1991. Paralelisht me lojën pianistike ka studiuar edhe kompozicion nën drejtimin e mjeshtrit Molfino dhe më pas shkoi në Akademinë Mbretërore të Londrës dhe në konservatorin e Varshavës. Puna si solist dhe dirigjent orkestrash e ka çuar në sallat më prestigjioze europiane: operën e Parisit, Bayerische Rundfunk, orkestrën kombëtare të Spanjës e të tjera. Turnetë e tij kanë një gjeografi të admirueshme dhe përfshijnë Argjentinën, Brazilin, Japoninë, Afrikën e Jugut, Spanjën, Francën, Gjermaninë e shumë e shumë vende të tjera. Artistët me të cilët ka bashkëpunuar janë ndër emrat më të njohur të botës së muzikës, si Pierre Amoyale, Victor Tretiakov, solistët e Skalës së Milanos, e kështu me radhë. Çdo artist zakonisht vihet përballë tri vlerësimeve të ndryshme, vlerësimit të vetvetes, atij të publikut dhe vlerësimit të kritikës. Për sa i përket vlerësimit që Massimo i jep vetes, ai është gjithmonë shumë modest, i përqendruar më shumë në të ardhmen, planet e së nesërmes dhe objektivat e pamundur që kërkon t‘i arrijë. Vlerësimi i publikut ka qenë ndaj tij gjithmonë i ngrohtë dhe sa për ata të kritikës aktualisht Palumbo konsiderohet "ndër realitetet pianistike dhe ato të dirigjimit më të jashtëzakonshëm të brezit të tij, me një repertor shumë të gjerë që përfshin muzikën barok, por edhe atë bashkëkohore, si edhe muzikën operistike italiane e kompozimet e Bethovenit". Që nga viti 2000 është drejtor artistik dhe muzikor i United Europe Chamber Orchestra që ka në arkivin e saj pjesëmarrje të pafund e koncerte në Itali e jashtë saj, e ndër të tjera 9 stinë koncertale pranë sallës "Verdi" të Konservatorit të Muzikës së Milanos dhe përmbledhjen dedikuar "Kryeveprave të muzikës së shenjtë" të interpretuar në kishat më të rëndësishme të Italisë. Ka regjistruar CD me shtëpitë diskografike më të njohura, si RCA, "Chandos", "Arts", "Foit Cetra", "Nuova Era" dhe për dy vite me radhë ka fituar çmimin e parë kombëtar të kritikës diskografike italiane. Ndër pikat kulmore të karrierës së Palumbos janë edhe ftesa në Carnegie Hall në Nju Jork për një koncert që zgjoi admirimin e publikut dhe të kritikës. Më 5 qershor të vitit 2009 ka luajtur nën drejtimin e mjeshtrit të famshëm Vladimir Ashkenazi në sallën "Verdi" të Konservatorit të Milanos. Për herë të parë, një artist i përmasave të tilla do të interpretojë edhe në Shqipëri, në një bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar. Në këtë koncert, që do të zhvillohet më 25 nëntor në Pallatin e Kongreseve në orën 11.00, me rastin e festës kombëtare, do të marrë pjesë edhe violinistja e shquar shqiptare Suela Mullaj dhe violinçelisti Aleksandër Zymbrovski. Koncerti do të përmbajë uvertura të Rosinit, si edhe një koncert Triple për violinë, violinçel e piano.