E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumë miliarderë dhurojnë pasuritë për bamirësi

SHBA Zotohen të falin miliarda për bamirësi, në emër të fondacionit “Bill Gates”

Rreth 30 miliarderë amerikanë janë zotuar dje që të japin të paktën rreth 50% të pasurisë së tyre për bamirësi, si pjesë e një fushate të nisur nga investitorët dhe pasanikët e mëdhenj amerikanë, Bill Gates dhe Worren Buffet. Mes miliarderëve që do të kryejnë një veprim të tillë janë edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Blumberg, themeluesi i “Oracle”, Larry Ellison, manjati i energjisë, Boone Pickens, manjati mediatik Ted Turner, David Rockfeller dhe investitori Ronald Perelman. Sipas fushatës “Të japësh”, që ka filluar në korrik nga Gates, i cili zë vendin e dytë në listën e njerëzve më të pasur të botës, sipas revistës “Forbes” me 52 miliardë dollarë, duhet arritur mbledhja e miliarda dollarëve nga pasanikët amerikanë për t’i përdorur për bamirësi. “Ne sapo e kemi nisur përpjekjen dhe kemi pasur deri më tani një kundërpërgjigje të jashtëzakonshme dhe një gatishmëri të rrallë. Objektivi ynë është që të bindim familjet e pasura që të diskutojnë për pasuritë dhe për mënyrën e përdorimit të tyre”, deklaron Buffet në një deklaratë për shtypin. Ai shprehu kënaqësinë që kërkesës së parë iu përgjigjën menjëherë shumë investitorë dhe njerëz të pasur amerikanë dhe se shumë prej tyre kanë vendosur që jo vetëm të marrin pjesë në këtë dhurim, por edhe ta bëjnë atë përmes shumave të mëdha, për shembull 50% të pasurive të tyre, që bëhet fjalë për miliarda dollarë. Dje miliarderët që janë zotuar të bëjnë dhurimin e tyre, deklaruan se në momente të caktuara, ndoshta edhe pas vdekjes do të japin më shumë se gjysmën e pasurive. Gjatë këtij viti, dy pasanikët më të mëdhenj në botë, Buffet dhe Gates kanë darkuar me disa nga miliarderët më të mëdhenj në botë për t’ua mbushur mendjen që të bashkohen në këtë nismë. Buffet u zotua në vitin 2006 që do të jepte 99% të pasurisë për fondacionin “Bill dhe Melinda Gates”, që merret me bamirësi. Edhe këta të fundit, deri më tani, i kanë dhuruar fondacionit 28 miliardë dollarë. Që nga themelimi i tij në vitin 1994, fondacioni ka dhënë 22 miliardë për përmirësimin e kushteve të varfërisë në vende të botës.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›