E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilema Monti Holl

... ato që njohim përgjysmë (!)

Shkurt dhe që në fillim: kjo është dilema e zgjedhjes. E kujt zgjedhjeje? E asaj që merr emrin politike, apo e plot zgjedhjesh të tjera në jetë, sa interesante aq edhe të rëndësishme. Ne, sigurisht, mund të hulumtojmë për zgjedhjet politike dhe administrative dhe ta spërkatim gjithë materialin me zgjedhje të tjera që i provojmë në jetë. Kështu, jeta është kthyer në një eksperiment magjik ku ne provojmë gjithçka, zgjedhim e zgjedhim pa ndërprerje dhe asnjëherë nuk i kënaqim dot dëshirat tona.

Nëse socialpsikologu Donald Granberg (2006), krijoi stimulin e dilemës për të arritur në një zgjedhje emocionale dhe për të tentuar saktësinë, kjo fare mirë mund të ushtrohet sidomos në mjedise të vogla, pak të populluar (në tërësi) dhe për të arritur një përfundim që e lakmon së tepërmi. Zgjedhjet e studentëve mund të qenë të gabuara nëse nuk i krijojmë mundësinë e alternativës. Por kjo, mundësia e alternativës, nuk është e njëjtë me dilemën e sajuar për të arritur në zgjedhje, megjithëse alternativa në vetvete të vë në dilemë.

Por le të shkojmë drejt një argumenti që nuk tingëllon shkencor, e megjithatë është dilemë dhe alternativë. Mësuesve të Shqipërisë, të çfarëdo niveli, u është dashur që të përzgjedhin çdo vit tekstet shkollore me të cilat do të punojnë gjatë vitit shkollor me nxënësit. është e natyrshme që teksti të përzgjidhet nga mësuesi për nxënësit. Por nuk ka pse, nuk është e natyrshme dhe as tingëllon demokratike, megjithëse vishet me një rrobë të dukshme demokratike, sepse krijohen grupe mësuesish për të votuar përzgjedhjen. Nuk ka asgjë të keqe, thotë dikush. Si nuk paska, do të thoshte socialpsikologu amerikan Granberg. Ti më diktohesh mua! Jo, përgjigjet kundërshtari, zgjedhja është votë. Po, e vërtetë, ia kthen hipotetikisht socialpsikologu, ashtu është, vota krijon mjedisin demokratik, por mua më diktohet teksti që nuk e dua! Pra, me fjalë të tjera, mësuesit, shumica e tyre këtë vit u detyruan të punojnë me tekste që ua dikton shumica! Por kjo shumicë, mund të ishte edhe MASH dhe t’u thoshte mësuesve që të punonin me këtë tekst e jo me atë, ashtu si mund të ketë ndodhur me DAR-et dhe ZA-të që së shumti ka ndryshuar kërkesat e shumicës së arsimtarëve (madje duke kopjuar masivisht firmat!) për të krijuar mjedisin demokratik të kërkesës nga shumica e mësuesve! Nëse MASH do të krijonte kërkesën nëpërmjet ballafaqimit dhe për të provuar tekstet në praktikën e përditshme, duke i bërë edhe objekt të institucionit të kontrollit të punës mësimore edukative të sajuar kohët e fundit, si një kolonë mjaft efektive në arsim, atëherë do të kishim një lëvizje të saktë dhe mjaft të dobishme. Domethënë në përzgjedhje krijohet mundësia për të parë praktikisht nivelin e nxënësve me anë të njohurive që kanë përfituar. Jo, nuk jemi larguar as nga “Dilema Monti Holl”, as edhe nga natyra e zgjedhjeve. Mendoni se sa koklaviten zgjedhjet që s’të krijojnë emocione dhe të mundësojnë imazhin e “saktësisë”, të logjikës së ftohtë. Siç ishte rasti klasik i përzgjedhjes së mësuesve për tekstet shkollore. Edhe këtu ato degjenerohen në pikë të hallit. Kurse në këtë rast kemi të bëjmë me shfaqjen tipike të zgjedhjes individuale. Sepse mësuesi vihet para dilemës: Kë? Këtë, apo atë? Sepse alternativën e ka para duarsh! Dhe ti nuk e lejon. I prish punë atij që do të punojë gjatë gjithë vitit shkollor me nxënësit! Po në zgjedhjet politike apo administrative? Këtu puna ndryshon. Vërtet që “dilema Monti Holl” është e pranishme. Edhe këtu shtrohet pyetja: Kë? Madje e shoqëruar me interesa, emocione, bindje politike, lidhje vetjake, çështje personaliteti etj. Prandaj dhe këtu del në shesh fytyra e vërtetë e “Dilemës Monti Holl”.

Mirëpo tentativat e prishjes së kësaj dileme këtu marrin trajta monstruoze. Aq sa nuk merret seriozisht zgjedhja! Në këtë drejtim prof. as. dr. Mit’hat Hoxha (Universiteti i Shkodrës) bëri një vëzhgim interesant me dy grupe studentësh: sa mendonin ata që u ishte ndryshuar vota e tyre? Vetëm dy studentë – në dyzet prej tyre – mendonin se u ishte ndryshuar vota, domethënë se “dikush” qe tallur me votën e tyre (kjo për të gjitha llojet e zgjedhjeve)! Konsiderojeni këtë problem, i cili mund të marrë edhe emrin e emisionit të Fevziut “Opinion”, tek i cili paraqitja krijon mundësi zgjedhjeje për t’iu përmbajtur parashikimit fillestar apo për të ndërruar mendimin: Mendoni sikur opinionistët tanë janë vënë në një lojë televizive ku u jepet mundësia për të zgjedhur tri porta. Prapa një dere është një makinë, prapa të tjerave gjenden kuti të mëdha bosh ose me të papritura të pakëndshme brenda. Ju zgjidhni një derë, kërkon drejtuesi dhe me këtë rast për njërin prej tyre (që zgjedh numrin një) hap derën numër tre dhe shfaqet kutia e madhe, groteske (e cila mund të ketë brenda fletë të mëdha votimi!). Pastaj drejtuesi i thotë: “Doni ta ndërroni derën numër një me atë numër dy?”. A ka ndonjë epërsi ndërrimi i zgjedhjes? Opinionisti kërkon derën me makinën. Tani ka përpara dy mundësi dhe kjo zgjedhje e vështirë, edhe emocionale, përbën thelbin e “dilemës Monti Holl”... Kështu, simulimi empirik i gjëegjëzës është i përcaktuar qartë (lidhur me derën që zgjedh opinionisti). Mendoni kështu: probabiliteti është një ndër tre që të zgjidhej dera e saktë dhe dy ndër tre që të zgjidhej dera e gabuar. Kur drejtuesi eliminon një nga këto dyja, gjë që ndodh gjithmonë, mbeten dy mundësi në tre që dera e zgjedhur nuk është e sakta. Dhe “dilema Monti Holl” na shoqëron përditë në jetën tonë...

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›