Apolonia, një qendër arkeologjike me muzikë, teatër dhe turizëm
Për një javë rresht, nga data 3 shtator deri më 11 shtator, parku kombëtar i Apolonisë në Fier do të gjallërohet nga java e artit dhe kulturës, me pjesëmarrjen e katër shteteve: Shqipërisë, Italisë, Greqisë e Kroacisë. Kjo është bërë e mundur falë një projekti të quajtur Archeo.s. Projekti përmbledh një sërë projektesh të rëndësishme në fushën e turizmit kulturor, të realizuar të ndaras njëri nga tjetri këto vitet e fundit, si: Apolonia International Festival, Festivali Aktrimit “Apollon”, Sofra Ilire etj. Por këto aktivitete do të bashkohen për t’u përqendruar në Parkun Kombëtar të Apolonisë, me efekt maksimal promocional e mediatik, duke synuar promovimin dhe rritjen e fluksit të qytetarëve dhe turistëve, jo vetëm në Apoloni, por edhe në një sërë qendrash arkeologjike e historike të vendeve pjesëmarrëse në këtë projekt. Kjo është bërë e mundur me mbështetjen dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të Ministrisë së Integrimit dhe Bashkisë Fier dhe të 5 partnerëve: Teatro Pubblico Pugliese, Teatro Stabile di Marche dhe Regione Abruzzo (Itali), Municipality of Igoumenitsa (Greqi), Municipality of Pazin (Kroaci). Në një sezon, kur pjesa më e madh e institucioneve kombëtare e lokale, nuk kanë gjetur dhe ende s’gjejnë dot vullnet e financime për të vijuar normalisht aktivitetin, në Apoloni, Bylis etj., janë realizuar aktivitete të të gjitha llojeve e gjinive artistike; si mbrëmje poetike apo vepra të plota të artit dramatik; festivale filmash; koncerte jazz dhe folk; instrumentale e simfonike; vepra të plota skenike si opera e balete; panaire prodhimesh të ndryshme; takime kombëtare e ndërkombëtare me tema të shumllojshme etj. etj. Ky projekt do të zgjatë dy vjet, 2011-2012, në kuadrin e Programit Europian IPA Adriatic CBC në fushën e turizmit kulturor. Disa nga veprat skenike më të arrira në skenën e Apolonisë do të përzgjidhen për një spektakël skenik të të gjitha vendeve, në Festivalin Ndërkombëtar në Ankona, në tetor 2012. Ideatorët dhe organizatorët e projektit “ARHCEO.S/Netët Apoloniane” kanë theksuar se aktivitetet kulturore do ta kthejnë Apoloninë nga një qendër të madhe arkeologjike antike, në një qendër kulturore e pelegrinazhi turistik, siç dhe i takon, duke rikujtuar mesazhin historik që na vjen nga antikiteti nëpërmjet të madhit Ciceron: “Apolonia, qytet i madh e hijerëndë...”
Apolonia në javën kulturore
Projekti për ta kthyer qendrën arkeologjike të Apolonisë në një qendër kulturore nis me Festivalin “Archeo.s/ Apollonia Netët magjike”, për të vazhduar një ditë më pas më 4 shtator me Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Apollon”. Odeoni i Apolonisë do të ofrojë për turistët një mbrëmje baleti nga Akademia e Dancit në Tiranë dhe Akademia e Artit Modern në Romë si dhe mbrëmje me muzike simfonike, për të vijuar me netët e xhazit, ku grupe nga Durrësi dhe Italia do të performojnë për publikun. Do të kulmojë me Sofra ilire, ku në një panair Etno-Gastronomik do të mund të shijohen pije dhe ushqime tradicionale nën tingujt e etno folkut shqiptar. Një vend i veçantë do t’i lihet edhe poezisë në “Poetekën e Apolonisë”, ku do të ketë recitime me poezi nga autorë të ndryshëm. Festivali i Muzikës Korale me Kore nga Kroacia, Izraeli, Shqipëria, Greqia, Italia, Greqia etj. është një tjetër aktivitet i javës kulturore në Apoloni, për t’u mbyllur me Natën magjike të Operas, ku do të interpretohet Muzikali “Opera për 2 grosh” nga teatri “Bylis”.