E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre treshat e Barilla’s

“Tri shfaqje, tri qytete, tre muaj” është emri i projektit, të cilin regjisori, Anthony Barilla, është duke realizuar muajve të fundit në Kosovë. Pjesa e tretë, e këtij projekti do të jepet në tri qytete të Kosovës. Nga Albana S. Muja më 07 gusht 2011 në ora 20:26

“Gojë më gojë”, e autores Lindsay Kayser, ishte pjesa e parë që ia hapi rrugën e projektit “Tri shfaqje, tri qytete, tre muaj”, të regjisorit Anthony Barilla. Shfaqja “Gojë më gojë” është dhënë në qershor të këtij viti, fillimisht në Mitrovicë, në hapësirën “7 arte”, e pastaj ka vazhduar për në Prishtinë, ku është inskenuar në hapësirën manipuluese në “Tetris”, e pas kryeqytetit, edhe në Prizren.

Shfaqja “Gurët dhe fijet”, e dramaturges Christa Faster, është pjesa e dytë e projektit, përderisa tani kanë filluar provat edhe për pjesën e tij të tretë, në shfaqjen “Thirre Homerin”, të Michelle Ellswarth, e cila njëkohësisht edhe e përmbyll gjithë projektin.

Regjisori i shfaqjes, e cila është e një lloji të veçantë që nuk është parë më herët në Kosovë, ngase ajo është një lexim skenik që bëhet para një mase të caktuar njerëzish, sqaron se ideja fillestare për këtë pjesë teatrale ishte bërja e një teksti të ri në gjuhën shqipe.

“Të gjitha këto pjesë të vogla kanë qenë të shkruara nga dramaturget amerikane, të cilat janë bërë për Kosovë, dhe që janë shkruar enkas për këtë formë të shfaqjes”, thotë ai.

Veç kësaj, Barilla tregon se këtu bëhet fjalë për shkrimtaret e tij të preferuara, ndërkohë që vetë projekti ia ka mundësuar që të takojë dy aktore të mrekullueshme. Andaj, sipas tij, ky projekt ka ardhur si rezultat i dëshirës që të bëjë diçka me të gjitha ato bashkë.

Përndryshe, pjesa e tretë e projektit, e quajtur “Thirre Homerin”, do të jepet më 18 gusht në Mitrovicë, më 19 gusht në Podujevë, dhe më 20 gusht në Prishtinë.

“Mendoj se kam bërë diçka të mirë, dhe që i ka pëlqyer audiencës. I përmbahem asaj se shpesh bënë gjëra për publikun, e megjithatë ai nuk i pëlqen. Por, kjo lloj shfaqjeje është për vetëm një masë njerëzish”, thekson Barilla.

Aktoret në këtë projekt janë Qemeri Ceraja dhe Teuta Bajrami.

Ceraja, e cila njëherësh është dhe dramaturge, thotë se kjo formë e lojës për të ka qenë diçka e re, ndonëse është mirëpritur nga ajo.

“Një stil të tillë të aktrimit e kam bërë për herë të parë. Në njërën anë, kjo ishte e lehtë, ngaqë e kishe tekstin përpara, por, nga ana tjetër, ka pasur edhe vështirësi, sepse nuk të jepej mundësia e aktrimit”, sqaron Ceraja.

Ajo gjithashtu shprehet e kënaqur, meqë ka mësuar për tri autore të reja dhe për tri histori që kanë të bëjnë pikërisht me jetët e tyre. Ndërkaq, sa për formën e lojës dhe audiencën jo shumë të madhe, Ceraja thotë:
“Pavarësisht numrit të publikut, ndjenjat dhe emocionet janë të njëjta”.

E aktoren tjetër, Teuta Bajramin, e cila është dhe regjisore filmi, këto tri tekste duket se e kanë inspiruar edhe për film.

“Jam ndier shumë mirë. Madje, vërtet ende po vazhdoj që të ndjehem mirë, sepse pata mundësi që jem pjesë e këtij projekti”, u shpreh ajo.

Ndryshe, përkthimin e të tre teksteve e ka bërë Abdulla Ferizi, dizajnin skenik Burbuqe, muzikën Lenart Gara, ndrsa soliste ishte Albina Kyqyku. i Gjithë projekti u përkrah nga Swiss Culture Programe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›