E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë punë për policinë në Ferizaj

Vikendi i ka sjellë shumë punë policisë në Ferizaj. Të dielën, rreth orës 10 e 50 minuta ka ndodhur një sulm ndaj personit zyrtar, kur ai ishte në detyrë. Sipas zëdhënësit rajonal të policisë në Ferizaj, kjo ka ndodhur në rrugën kryesore të qytetit “Dëshmorët e Kombit”. Punëtori M.H. 57 vjeçar, i cili gjendej me detyrë në sigurimin e objektit të PTK-së është sulmuar nga H.Z. 59 vjeçar. Edhe pasi ka ndërhyrë policia i njëjti nuk i është bindur urdhrave të policisë, madje ka sulmuar edhe njërin nga policët. Policia e ka dërguar pastaj në stacionin e saj dhe pas intervistimit, me urdhrin e prokurorit kujdestar, e ka dërguar në paraburgim.

Sipas zëdhënësit Gashi motiv i këtij incidenti ishte parkingu ilegal i veturës.

Po të dielën dhe po në të njëjtën rrugë policia është njoftuar nga reparti i emergjencës të spitalit rajonal për një therje me thikë. Rastin e konfirmon zëdhënësi rajonal i policisë në Ferizaj, toger Agim Gashi. Zëdhënësi ka thënë se bëhet fjalë për një lëndim të rëndë trupor të shkaktuar me thikë, por nuk tregon motivet. Sipas zëdhënësit Gashi, i riu 17 vjeçar T.G. pasi ka marrë ndihmën e parë, është përcjellë për në QKUK-të Prishtinës. Zëdhënësi thotë se jeta e të riut nuk është në rrezik.

Gjithashtu të dielën pas mesnate, saktësisht në ora 00 e 35 minuta është plaçkitur një taksist nga Prishtina. Rasti ka ndodhur në rrugën Davidovc-Shtime. Zëdhënësi Gashi thotë se policia i është përgjigjur këtij rasti dhe ka kontaktuar viktimën S.K 55 vjeçar, taksist nga Prishtina. Taksisti i ka deklaruar policisë se tre personat që i kishte si udhëtarë në veturën e tij, nën kërcënimin e armës së zjarrit dhe thikës ia kanë grabitur 80 euro dhe një telefon celular të tipit “Nokio”, në vlerë prej 50 eurove. Plaçkitësit pastaj ia kanë shqyer gomat e veturës taksistit dhe kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Sipas zëdhënësit Gashi policia është vënë në kërkim të dy të dyshuarve dhe shumë shpejt ka arritur ta kapë njërin nga ta. I dyshuari i kapur për këtë rast, Sh. T. 20 vjeçar, pas intervistimit në polici, me urdhrin e prokurorit të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, është dërguar në mbajtje. Sipas zëdhënësit Gashi, policia po punon në kapjen e dy të dyshuarve tjerë.

Rastin e së premtes kur ka ndodhur një gjuajtje me armë, policia e ka vlerësuar si shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Kjo ka ndodhur në rrugën kryesore të qytetit “Dëshmorët e Kombit”, saktësisht në auto-parkingun “Mustafë Goga”. Zëdhënësi rajonal, toger Gashi, ka thënë se policia për këtë rast është njoftuar të premten rreth orës 21. Sipas toger Gashit policia ka kontaktuar viktimën,. N.H. 39 vjeçar, i cili ka deklaruar se është sulmuar nga S.K. 37 vjeçar, i cili ishte i shoqëruar edhe nga tre persona të tjerë. Njëri nga ta kishte sulmuar fizikisht viktimën, ndërsa njëri kishte shtënë me armë drejt tokës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas zëdhënësit Gashi në vendngjarje janë gjetur dy gëzhoja. Nga kjo përleshje një person e ka pësuar më keq. Atij pasi i është dhënë ndihma e parë në repartin e emergjencës të spitalit rajonal, është përcjellë për në QKUK të Prishtinës. Zëdhënësi Gashi nuk tregon motivet e kësaj përleshje, ndërsa policia po e heton rastin për ta dërguar lëndën në prokurori.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›