E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cavani beson në Scudetto

Ylli i Napolit, Edinson Cavani beson se ekipi mund të fitojë titullin në Serie A, edhe pse aktualisht ka katër pikë më pak se lideri, Milan. Reprezentuesi uruguaian ndihet shumë mirë në San Paolo, pas huazimit nga Palermo dhe deri më tani ka shënuar 17 gola në 22 ndeshje. Nga Express më 01 shkurt 2011 në ora 11:01

Golashënuesi më i mirë në Serie A, Edinson Cavani ka insistuar se Napoli mund të fitojë titullin pas realizimit të het-trikut të tij të dytë në katër ndeshjet e fundit në fitoren 4-0 ndaj Sampdorias. Cavani ngriti kuotën e tij në 17 gola në 22 ndeshje të ligës këtë sezon, vetëm dy javë pasi shënoi het-trik kundër Juventusit.

Fitorja e mbajti Napolin në ndjekje të liderit në Serie A, Milanit, që ka epërsi prej katër pikëve. Dhe, reprezentuesi uruguaian insiston se Napoli mund të fitojë titullin e parë në ligë pas 21 viteve.

“Siç kemi thënë në fillim të vitit, ne nuk duhet të vendosim kufi nëse duam të fitojmë diçka. Shpresojmë të vazhdojë kështu”, tha ai.

“Nëse vazhdojmë të punojmë ditë pas dite, mund të arrijmë diçka të rëndësishme për ne dhe për qytetin. Pas humbjes në Kupën e Italisë (ata u mposhtën nga Inter me penallti në mesjavë) kjo ishte shumë e rëndësishme, fuqia për këtë takim erdhi nga ajo humbje. Ne flasim shumë pak rreth renditjes, ndoshta vetëm kur jemi me njëri-tjetrin. Duhet të punojmë shumë si grup, këto janë gjërat që na mundësojnë të shkojmë përpara”, shtoi ai.

Cavani, i cili është i huazuar nga Palermo, ka insistuar se është i lumtur këtu ku është tani, pavarësisht lëvdatave nga trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho.

“Duke e ditur se një trajner, një njeri i rëndësishëm si Mourinho, më jep kompliment dhe thjesht flet për mua, është ndjenjë e mirë. Si trajner, ai është kampion. Por, ndihem mirë në Napoli. Nga momenti që kam ardhur, njerëzit më kanë pritur me mjaft dashuri”, theksoi ai.

Pavarësisht optimizmit të Cavanit, trajneri Walter Mazzari është shprehur me modesti rreth rezultateve të deritashme të ekipit.

“Kurrë nuk kam menduar rreth tabelës dhe vazhdoj të mos mendoj rreth saj. Mendoj për punën me futbollistët e mi. Kemi krijuar një bazë të mirë, jemi duke përfituar nga kjo dhe entuziazmi i punës që kemi bërë vitin e kaluar”, tha ai.

I pyetur rreth Cavanit, ai refuzoi të krahasojë uruguaianin me yllin e Milanit, Zlatan Ibrahimoviç, të cilët shumëkush në Itali i konsideron si sulmuesit më të mirë në Serie A.

“Ata janë futbollistë të ndryshëm, nuk dua të bëj krahasime. Nuk vendosim kufi për futbollistët tanë, por Ibra tashmë ka fituar gati të gjitha. Ju nuk mund të parashikoni se sa do të fitojë Cavani. Inter dhe Milan kanë ekipe të mira, Juventus pak më pak, ndërsa të mos flasim për Romën. Futbollistët tanë janë të rinj. Ata kurrë nuk kanë luajtur në Ligën e Kampionëve dhe duhet të përmirësohen në çdo aspekt, andaj është e pamenduar të konsiderohemi në shkallë me këto ekipe të mëdha”, tha Mazzari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›