E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vendim strategjik për Shqipërinë

Qeveria shqiptare do të marrë sot një vendim të rëndësishëm për kursin ekonomik dhe politik që duhet të ndjekë vendi. Mbyllja e ofertave të pjesëmarrësve në garën për të privatizuar 85 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të naftës, ARMO, përtej një veprimi burokratik të një ekzekutivi, përfaqëson një moment kyç për të ardhmen e Shqipërisë, këtij vendi me një të shkuar të hidhur të lidhjeve politiko-ekonomike me Lindjen dhe të ardhmes së paprovuar të lidhjeve të ngushta me Perëndimin. Qeveritë shqiptare, prej hapjes së vendit dhe privatizimit të ish-ekonomisë së centralizuar vendase, kanë bërë me dhjetëra transaksione të tilla ekonomike, pasojat e të cilave ndihen edhe sot në ekonominë vendase. Në listën aktuale të qeverisë "Berisha" privatizimet strategjike numërohen me gishtat e dorës, por ato do të jenë shumë domethënëse për kursin që do të ndjekë vendi në të ardhmen. Privatizimi i Ndërmarrjes së Naftës, i Shoqërisë shtetërore të Sigurimeve apo i Rrjetit të Shpërndarjes së Energjisë janë jo vetëm kalimi në duart e privatëve të copave të majme të ekonomisë vendase, por edhe momenti kyç që do të vendosë për të nesërmen e vendit, që e ka pësuar me vonesën e tij mbi 60-vjeçare në rrugën për të qenë pjesë natyrore e Perëndimit, dhe jo peng i Lindjes, që ka patur historikisht një politikë kolonialiste ndaj Shqipërisë.

Shqipëria, që përgatitet sot të hedhë në treg pasurinë natyrore të naftës, trashëgoi një industri të prapambetur nxjerrjeje, përpunimi dhe menaxhimi të arit të zi. Fakti që ndërmarrja shtetërore nuk mbulon as çerekun e nevojave të vendit për karburante dhe ajo çfarë ofrohet lë shumë për të dëshiruar për konsumatorin vendas, tregon se blerësi i ardhshëm nuk duhet të jetë i atij formati të privatëve që kanë zaptuar sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, për të vjelë fitimet dhe për të transferuar milionat në vendet e origjinës prej nga vijnë. Aktualisht, Shqipëria është shembulli më i keq në rajon për varësinë që ka në shumë fusha të prodhimit apo të shërbimeve, ndërsa konsumatori vendas është më i diskriminuari dhe është ai që po vuan pasojat e vendimeve korruptive dhe antishqiptare të qeverive, që u ngutën për të bërë privatizime strategjike, në dëm të shtetasve të tyre dhe të sigurisë së vendit.

Shqipëria ishte bërë gati që para pesë viteve për ta privatizuar sektorin shtetëror të naftës, me një vendim të qeverisë së drejtuar nga ish-kryeministri Fatos Nano, por nuk arriti ta përmbyllë atë, siç bëri me telefoninë fikse, apo me sektorin bankar. Qeveria e shkuar ishte dukshëm properëndimore, qoftë kjo edhe për interesat e ngushta të pushtetit të Kryeministrit. Megjithatë, ajo ishte rreshtuar në koalicionin perëndimor antiterror, i cili nuk është parë me sy të mirë nga shumë prej vendeve të mëdha të Lindjes. Qeveria që e pasoi, për fat të keq, demonstroi që në muajt e parë të mandatit një riaktivizim të lidhjeve të dyshimta me Lindjen, ndërsa nga ana tjetër, për hesapet e pushtetit, vijoi të ishte pjesë e bllokut properëndimor. Dhe Perëndimi i udhëhequr nga SHBA-të nuk i braktisi shqiptarët. Ishte angazhimi i tyre në rajon, ai që solli një Kosovë të pavarur, të cilën po e njohin përditë shumë vende, përveç superfuqive lindore, me defekte të rënda të demokracisë, që nuk duan një komb të lirë. Ishte investim politik dhe ushtarak i SHBA-ve dhe vendeve të tjera të Aleancës Veri-Atlantike që Shqipëria të merrte më 4 prill 2008, ftesën për anëtarësim në NATO. Me gjithë lojën e dyfishtë të qeverisë shqiptare, që nuk e fsheh kursin lindor, SHBA-të po udhëheqin me shumë këmbëngulje vijimin e reformave strukturore që vendi të afrohet sa më shumë me Europën Perëndimore, ku dëshiron të anëtarësohet. Por pa harruar edhe kursin ekonomik që duhet të ndjekë vendi. Prej disa vitesh një projekt amerikan për sjelljen e naftës nga deti Kaspik në bregdetin shqiptar, i quajtur AMBO, më shumë është penguar sesa ka përparuar, kjo falë edhe qëndrimit kundër të qeverisë shqiptare. Rusia, aktualisht e ka përmbyllur aksionin e saj për të futur nën ombrellën e saj energjetike vendet nga duhet të kalojë ky naftësjellës, ashtu siç ka nënshkruar marrëveshje shumëmiliardëshe për të dërguar burimet energjetike në jug dhe në veri të Ballkanit. Kjo gjeografi, që tregon se vendet europiane për fat të keq po bien nën varësinë e burimeve energjetike me origjinë nga Rusia, e bën edhe më domethënës vendimin që duhet të marrë Tirana zyrtare, që vendi të mos përfundojë në të njëjtën ombrellë si në fund të viteve '40, të cilën e pagoi me një gjysëm shekulli izolim dhe prapambetje.

Qeveria shqiptare me anë të zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar si atij që i djeg miza nën kësulë, kur zyrtarët amerikanë në mënyrë diplomatike kërkuan transparencë në tender dhe diversifikim të burimeve energjetike për Europën dhe fjala ishte pikërisht për ARMO-n. Dje, një zyrtar tjetër i ministrisë, që përfaqëson në kabinetin qeveritar një parti të lidhur ngushtë me tragjedinë e Gërdecit, foli në emër të sigurisë kombëtare, duke hedhur poshtë akuzat për një lojë të pastër prolindore të qeverisë. Sot, kjo siguri kombëtare dhe e ardhmja properëndimore e Shqipërisë është në dorën e qeverisë, jo thjesht për një privatizim ndërmarrjeje, por si tregues real se në çfarë rruge do të vijojë rruga e vendit, të cilit iu mohua bota perëndimore prej shumë dekadash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›