E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjeshtukët kthehen në Shtator!

Nuk ka kaluar ndonjë kohë e gjatë, kur përdorej rëndom cilësori vjeshtukë, për atë takëm studentësh që "lageshin" në dy a tre provime dhe i priste shtatori për të dhënë riprovimet. Si "kolonë zanore" ndokush, që gjatë verës qorronte sytë për të bërë gati "parafabrikatet", domethënë kopjet në formate të vogla, fishkëllente edhe melodinë e njohur "Kthehu në shtator". Njoftimi i premtimdhënësit Fatos Nano për rikthimin e tij në Shtator, bash në ditën kur kreu i Qeverisë së Shërbimit dhe Shërbesës (më tej: QeShSh), Sali Berisha përmallshëm e, si një vetëzbulim, e shpalli QeShSh-in e tij edhe të... Premtimmbajtjes (siç), më shumë se me gjithçka tjetër ngjan si me një kockë që hidhet në gjeratoren shqiptare për të krijuar një dominancë tjetër mediatiko-politike me të cilën hutueshëm e habitshëm do të merret ethshëm opinioni ynë publik. "Kushtrim për ujkun e dhelpna po na i ha pulat", do të ishte ekuivalenti i dominancës që zumë në gojë më sipër. Pra, do të niste debati popullor: "A duhet të rikthehet apo jo Fatos Nano?". Skenari i mëtejmë mund të përfytyrohet fare lehtë, pasi ai është krejt i ngjashëm si me rikthimet e tij të papritura pas vakancave të gjata, ose në çaste krizash të tjera të rënda, si në prag të zgjedhjeve lokale, në zgjedhjen e Presidentit të Republikës etj, etj. Gazetarë, politikanë, gjithologë (mund të lexohet edhe analistë), kalimtarë të rastit a hallexhij me trastat gjysmë të zbrazura të ushqimeve poshtë këmbëve, të cilëve iu zënë pritë bukënxjerrës mediatikë nëpër trotuaret e kryeqytetit, do të turren t'i kthejnë përgjigje pyetjes "A duhet të rikthehet apo jo Fatos Nano?". Pas alkimisë politike të radhës, do të ndahen "Po"-istët dhe "Jo"-istët. Edhe ata që s'kanë ndonjë mendim për të thënë…po që gjumin e drekës, ama, duan ta bëjnë rehat! Politikës dhe industrisë mediatike, në këtë pragkrize ushqimore (dhe të pesë të tjerave të përbotshme që thonë se po trokasin, si: ajo financiare, monetare, ekonomike, ushqimore, energjetike, ekologjike) me këtë dominancë mediatiko-politike do t'i bëhet një shërbim e nder jo i vogël. Po sidoqoftë, me këtë salvaxhente të re, më i fituar do të dalë sërish Sali Berisha. Dalëngadalë do të sfumohet Gërdeci, GërdecBURGU (Burreli); krizat: e USHQIMEVE, e mjekësisë, papunësisë së frikshme, sigurisë etj, etj. Dhe, në këtë sfond Premtimbajtësit të Madh, Sali Berishës do t'i krijohen kushte akoma më të përshtatshme për t'i shpjeguar popullit të vet (tamam atij që i pat dhënë fjalën, këtu e njëmbëdhjetë vjet më parë, se "do t'ia ngrinte buzëqeshjen në buzë") se ku kanë shkuar paret e...korrupsionit!

Rikthimi në jetën aktive politike është një e drejtë e kujtdo që i është përkushtuar asaj, madje të gjejë e të përcaktojë edhe "stinën" se kur do të kthehet, pasi t'i ketë bërë mirë hesapet e veta. Se për hesapet e atyre, në emër të të cilëve do t'u riprijë, s'para qederesot fare. Ai është sfond i përkryer! Pash besën, e kush e ka penguar Fatos Nanon që të rikthehet sërish për t'u shprehur publikisht për kaq e kaq halle popullore që kemi kaluar ndërkohë? Mirë atë, po mesianistët që thonë se do ta ndjekin nga pas? Këtë s'mund t'ia kërkosh me ngulm e me këtë theks, natyrisht, ndokujt tjetër, bie fjala, me tituj shkencorë a tituj pronësie (më shumë nga këto, ish-konviktorë politikanë që u pasuruan marramendshëm në këtë tranzicion të pasegmentarizuar) që ka mbajtur krahun e s'ndihet i gjallë, për arsye të ndryshme, që janë të panumërta në këtë vendin tonë, por, pa shkaqe madhore, kurrësesi jo një "lideri historik", një deputeti që ende përfaqëson popullin në Kuvendin e Shqipërisë. Fatos Nano, as sot e asnjëherë, s'mund ta çojë vedin deri aty sa të barazohet me memecërinë e pashembullt parlamentare (thonë se janë nja 30) badigardëse që ngrohin e ngrohin...privilegjet e panumërta që u jep mandati i popullit. Një nga ata që ka pyetur veten përse nuk ndihet Fatos Nano kam qenë dhe jam edhe unë, paçka se kemi ndarë "zjarrin" disi herët. Por jo kështu, për t'i bërë hysmet modelit të vjeshtukut, që pasi je "lagur" edhe herë të tjera, të gjesh "stinën" e një rikthimi "triumfal" pasi i kë "lënë" (siç) të përplasin kokën të tjerët me njëri-tjetrin në duelin e tyre (pra, të "lagesh" prapë me shpërfilljen tënde) e të shfaqesh për të nisë lëvizjen tënde (Zot sa "lëvizje" pollën këto partitë shqiptare! Çfarë nataliteti?!) gjoja për ringritjen e të majtës për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës. Për shumëkënd artikulimi i herëpashershëm i Edi Ramës i një politike të re, duket se iu vret veshin, e shohin me dyshim e skepticizëm. Në të vërtetë mjafton të dëgjosh deklaratën e mësipërme të F. Nanos dhe e kupton fare mirë se ajo është vërtet e gjallë, rezistente, kërcënuese, në tërësi për politikën shqiptare, që po rreket të dalë nga qerthulli 17 vjeçar, sidomos për të majtën. Modeli i vjeshtukut, siç duket e kërkon rishfaqjen në një kuotë të tillë pikiate (siç) për t'u shfaqur si Mesia. Po mesianistët e tjerë ku janë e cilët janë ata që do ta ndjekin nga pas në turet në dialog me publikun (i treti, pas Ramës e plagjiatit Berisha). Se si të duken këta mesianistë si ish-anëtarët e PKSh-së që fshiheshin dikur nën flamurin e Frontit Demokratik. Një mik i imi, i papunë i QeShSh-it, ndonëse me vendim gjykate në xhep për t'u rikthyer në vendin e mëparshëm të punës, teksa dëgjoi premtimin publik të F. Nanos për t'u rikthyer në Shtator, më tha "Aman, si s'kanë pakëz mëshirë për ne? Të na lënë që të pushojmë ca nga sherrnajat e tyre, që s'i lënë të dëgjojnë mirë hallet tona të përditshme".

•Ish-anëtar i KPD të PSSh-së (1991-2000)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›