E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumica në KZAZ, PD në 44 komisione, ndërsa PS në 45”

08-01-2013 / Gazeta 55

KQZ miraton në mënyrë unanime me 7 vota pro vendimin për anëtarin e shtatë të KZAZ


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar mbledhjen e parë për vitin 2013 ku edhe ka vendosur me konsensus të plotë dhe votat e 7 anëtarëve përbërjen e anëtarëve të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 23 qershorit. Me 7 vota pro, KQZ vendosi që Partia Demokratike dhe ajo Socialiste të kenë nga 2 anëtarë në KZAZ, ndërsa LSI dhe PBDNJ nga 1 anëtar.  “Për caktimin e partive politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), për zgjedhjet e datës 23 qershor 2013”, bazuar në shpërndarjen e mandateve për partitë politike sipas rezultateve të zgjedhjeve të viti 2009.  “KQZ me unanimitet vendosi të caktojë partitë politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), të përbëra nga shtatë anëtarë, si më poshtë: Dy anëtarë të propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë; Dy anëtarë të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë; Një anëtar i propozuar nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim; Një anëtar i propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut; Anëtari i shtatë propozohet në gjysmën e KZAZ-ve nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ndërsa në gjysmën tjetër nga Partia Socialiste e Shqipërisë, në përputhje me rezultatin e shortit që hidhet në KQZ”, thuhen në deklaratën zyrtare të KQZ. KZAZ-të të cilat duhet të konstituohen 90 ditë para zgjedhjeve, janë strukturat e dyta nga rëndësia pas KQZ-së dhe  menaxhojnë të gjithë përgatitjet në terren. Gjithashtu komisioni miratoi me 7 vota pro procedurën për hedhjen së shortit për caktimin e partisë që do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve. Nga hedhja e shortit rezultoi se Partia Demokratike duhet të tërhiqte e para goglën në vazon transparente ku ishin hedhur më parë goglat me mbishkrimin “KZAZ me numër tek” dhe “KZAZ me numër çift”. Pas tërheqjes së goglës nga PD rezultoi se kjo forcë politike do të propozojë anëtarin e 7-të të KZAZ-ve me numër çift ndërsa PS do të propozojë anëtarin e 7-të të KZAZ-ve me numër tek. KQZ me votim të të gjithë anëtarëve miratoi rezultatet e këtij shorti. Pra, nga 89 KZAZ që do të ngrihen për zgjedhjet e qershorit, PS do të ketë shumicën e anëtarëve në 45 komisione, ndërsa PD në 44 të tilla. Partia Socialiste do të ketë shumicën ne KZAZ-të e 4 qarqeve. Kukës, Lezhë, Durrës dhe Vlorë. Ndërsa PD vetëm në 2 qarqe: Dibër dhe Berat. Qarqet e mëdha si Tirana, Fieri, Korça, Elbasani e Shkodra, ndahen në mënyrë të barabartë mes 2 partive kryesore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›