E Diel, 1 Nëntor 2026

Shupe: Gramozi smendon mbijetesën, por 6-shen e parë

Nga Kristi Lilo

Kapiteni i kolonjarëve, Hyserjon Shupe, pohon se ekipi është forcuar ndjeshëm dhe fazën e dytë do të arrijë rezultate më të mira

Mesfushori Hyserjon Shupe, i cili mban edhe shiritin e kapitenit të Gramozit, është gjithmonë në udhëheqje të grupit në stërvitje. Ai bën pjesë tek ata futbollistë, të cilët stërviten sistematikisht dhe kërkojnë gjithmonë më shumë nga vetja. Kapiteni i kolonjarëve, edhe pse është i përqendruar te faza përgatitore, flet për lëvizjet e bërë ditët e fundit në grupin e futbollistëve dhe jep një parashikim për ekipin e fazës së dytë në intervistën e mëposhtme për Sportin shqiptar.

Keni lënë pas tri javë stërvitje intensive. Sa ka ndryshuar forma e ekipit deri tani?

Ka qenë një stërvitje shumë e ngjeshur, me ngarkesë të plotë. Natyrisht që ka ndryshim në formën sportive jo vetëm time, por te gjithë ekipi. Edhe pse është shpejt të jap një mendim të saktë, shumë gjëra kanë filluar të duken. Ka rritje të treguesve fizikë dhe tashmë trajneri Qirjako po na ushtron më shumë me topin, pasi po afron faza e dytë.

Cili është mendimi juaj për mesfushën e Gramozit, ku ju bëni pjesë?

Po mundohemi ta përmirësojmë lojën tonë, që do të thotë një organizim më i shpejtë i manovrës sulmuese dhe lojë me saktë nga krahët, që mund të sjellin golin nëpërmjet krosimeve në zonë. Kam besim të plotë se mesfusha do të jetë në formë shumë të mirë gjatë fazës së dytë. Mesfushorët e Gramozit janë aktivë dhe shpesh golashënues me anë të gjuajtjeve nga distanca.

Ditët e fundit janë afruar disa lojtarë të rinj në këtë repart dhe konkurrenca është rritur. Si ndihet Shupe në këtë klimë?

Po, në ekip ka më shumë futbollistë mesfushorë. Kjo vjen nga moduli i lojës që kërkon stafi ynë teknik dhe nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, rritet më shumë përgjegjësia jonë. Është e qartë se duhet të punojmë me seriozitet për të fituar një vend në formacion. Gjatë kësaj jave janë afruar edhe disa mesfushorë të tjerë, por unë jam i përqendruar dhe i motivuar për ta merituar një vend titullari. Besoj te vetja dhe dua të jap më të mirën për ekipin, ku luaj prej shumë sezonesh.

Si e parashikoni fazën e dytë dhe çfarë mesazhi keni për sportdashësit kolonjarë, që duan ta shohin Gramozin më lart?

Tifozët kanë shumë të drejtë të kërkojnë më shumë, sepse Gramozi nuk meriton të gjendet në këto pozita. Nëpërmjet gazetës Sporti shqiptar, në emër të ekipit, u premtoj atyre se Gramozi nuk do ta diskutojë qëndrimin në kategorinë e parë. Tifozët duhet të qëndrojnë të qetë. Me përforcimet e bëra dhe interesimin e madh të drejtuesve të klubit, kam bindjen se Gramozi ka shumë shanse ta mbyllë kampionatin në 6-shen e parë.

Vjen K.Arapi, ikën Arifaj  

Merkatoja po sjell çdo ditë të reja te Gramozi. Me këtë ekip është bashkuar dje mesfushori korçar, Kristi Arapi, i cili ka luajtur gjatë fazës së parë disa ndeshje me Skëndërbeun. Ardhja e tij duket se e ka shtuar së tepërmi konkurrencën në mesfushë. Por ka edhe largime, ku mund të përmendim atë të sulmuesit Arifaj, i cili nuk e ka marrë ok-in nga stafi teknik i Gramozit dhe dje ka lënë Ersekën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›