Luftëtari humbet ndeshjen miqësore me Tomorin
Me interes të madh në Gjirokastër pritet ndeshja e prapambetur me Kukësin, ku mund të luajnë 3 nga 5 lojtarët e dëmtuar
Dy kolosët e Luftëtarit, Nora dhe Devolli, realizuan nga një gol në portën e Tomorit, në miqësoren që u luajt dje në Ulqin, por gjirokastritët humbën 3-2. Pra, në 4 ndeshje miqësore, ekipi i drejtuar nga trajnerët Dede-Novi kanë arritur një fitore, atë 2-1 me Tepelenën, dy barazime 1-1 me Vllazninë U-19 dhe Vllazninë e madhe, së fundi edhe një humbje, 3-2 me Tomorin.
Në çdo ndeshje Luftëtari ka shënuar, por edhe ka pësuar. Tani trajnerët e rinj kanë një ide mjaft të qartë për lojtarët që disponojnë. Kështu, Luftëtari kreu përgatitjet në Ulqin dhe do të vazhdojë në Gjrokastër, për të qenë i gatshëm për përballjen me kreshnikët e Kukësit, që do vijnë për së dyti në jug, në një udhëtim disi rraskapitës.
Shkak për këtë u bë bora, që ra në fund të vitit të kaluar dhe gjyqtari vendosi që ndeshja të mos zhvillohej, për ta lënë misterin për shkurtin e këtij viti, para filimit të fazës së dytë, që Luftëtari e nis në Vlorë.
Dëmtimet Viti që shkoi, krahas ndeshjes së prapambetur, i la Luftëtarit edhe 5 titullarë të dëmtuar, të cilët janë mbrojtësit Shalari, i cili nuk ishte as në Ulqin, Ramadani, Gaxhaj e Baci, si dhe sulmuesin Raboshta. Fizioterapisti Bledar Late ka bërë të ditur nëpërmjet telefonit se dy të parët është shumë e vështirë të jenë në dispozicion të trajnerit Dede për ndeshjen me Kukësin, kurse tre të tjerët kanë shanse më të mëdha.
Drejtuesit e Luftëtarit, duke marrë parasysh edhe dëmtimet e mësipërme, hynë në merkato dhe sollën në ekip tre futbollistë: Hithin, Stratin dhe Ninon, kështu që përsëri trajneri Dede do të ketë mundësinë që ta presë Kukësin me një formacion rezultativ për të arritur fitoren, që do të jetë e 8-ta radhazi në Gjirokastër, një rekord për Luftëtarin në gjithë historinë e tij mbi 80-vjeçare.
Treguesit Luftëtari dhe Kukësi vijnë në këtë ndeshje me nga 7 fitore të realizuara në shtëpinë e tyre, kurse jashtë saj i pari ka 4 dhe i dyti 3. Golaverazhi i gjirokastritëve në fushën e tyre është 18-3, kurse i kuksianëve në transfertë është 6-7. Pra, loja e numrave favorizon vendësit, por në thelb janë dy formacionet që do të luajnë për të ndryshuar numrat.
Fitues do të jetë ai që do të gabojë më pak dhe do të ketë edhe fatin me vete, ndërkohë që ekziston edhe barazimi, që për prestigj i intereson më shumë Kukësit. Është një përballje, që pritet me interes të madh jo vetëm në Gjirokastër dhe Kukës, por edhe në qytetet e ekipeve rivale për superligën.
