Tevez humb 11 milionë euro

Që nga koha kur i prishi punët me Manchester Cityn, Carlos Tevez ka qenë gjithmonë në humbje. Tabloidi britanik, The Sun e ka publikuar të mërkurën një tekst, ku ka treguar në detaje për humbjet që pati sulmuesi argjentinas, gjatë periudhës 5-6 mujore.
Sipas këtij tabloidi, Tevez i ka humbur 9,3 milionë funte (rreth 11 milionë euro), pas mosmarrëveshjeve me klubin. City i ka bllokuar të gjitha të ardhurat për argjentinasin, i cili e refuzoi mundësinë e transferimit në Paris Saint Germain.
Citizens ndaluan t’ia paguajnë 198 mijë funte sulmuesit, kah fundi i nëntorit, që do të thotë se ai nuk i mori 1,7 milion funte rrogë, nga ajo kohë. Më 22 dhjetor, 27 vjeçari u dënua me 1,2 milion për shkak të sjelljeve të këqija.
Tevez u ankua për këtë, por klubi nuk e dëgjoi. Ai mund të ankohet për këtë rast në Premierligë, në fund të këtij muaji. Tevez po ashtu është dënuar me afro 400 mijë funte, për shkak se refuzoi të futej në lojë në ndeshje me Bayern Munichun, në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Para kësaj, ai i kishte humbur 6 milionë funte që lidheshin me bonuse, për shkak të tentimeve të vazhdueshme për t’u larguar, duke e treguar dëshirën e tij në publik. Tevez i dha fund eksperiencës në City më 7 nëntor, kur udhëtoi drejt Argjentinës, ku ka qëndruar deri tash.
Ai preferon të transferohet në Milan, por ekipi italian ka ofruar 7 milionë funte më pak, se që kërkon City. Klubi anglez i do 25 milionë funte për sulmuesin, plus 3 të tjerë nga bonuset, varësisht nga arritjet e objektivave të lojtarit dhe të klubit.
City kritikon Milanin për Tevezin
Ndërkohë presidenti i Manchestre Cityt, Khaldoon al Mubarak, e ka 'thumbuar' Milanin, të cilin nuk e konsideron si kandidat serioz për ta transferuar sulmuesin argjentinas Carlos Tevez. Sheiku arab thotë se Rossonerët gabojnë nëse mendojnë se e kanë në dorë sulmuesin e rebeluar, i cili mund të largohet nga 'Citizens' gjatë këtyre ditëve.
"Për momentin, Milani nuk është një opsion serioz. Galliani me stafin e tij dhe menaxheri i Tevezit duken shumë të sigurt. Por, u them atyre që duhet të heqin dorë nga urimi i njëri-tjetrit, duke menduar se ky transferim është i kryer. Dalja në fotografi e Gallianit, Tevezit dhe menaxherit të tij nuk ndihmon asgjë. Kërkesat tona janë të qarta dhe për momentin nuk kemi marrë ndonjë ofertë serioze nga Milani", deklaroi Al Mubarak për të përditshmen The National.
Ai i sheh dy skuadrat tjera të interesuara deri sot për futbollistin, PSG e Inter, si shumë më serioze. "Paris Saint Germain e Inter janë dy klube serioze dhe profesioniste. Kanë filluar të bisedojnë me ne në mënyrë të rregullt", shtoi ai.
Mirëpo, duket se të dyja klubet kanë hequr dorë nga ish sulmuesi i Corinthiansit, i West Ham Unitedit dhe i Manchester Unitedit, ngase futbollisti e do vetëm Milanin. "Tevezi mbetet lojtari ynë deri në vitin 2014. Nëse nuk arrin ndonjë ofertë e duhur, nuk do të shitet", konfirmoi kreu i klubit anglez.