E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona refuzoi Mourinhon

Jose Mourinho do të ishte sot trajner i Barcelonës, duke bërë revolucion në futbollin evropian. Mirëpo, arroganca, agresiviteti dhe kokëfortësia për të dëgjuar e lanë atë larg Camp Nou. Ish drejtuesit e klubit katalunas zbulojnë se kishin pasur një takim me trajnerin portugez në vitin 2008, por nuk e angazhuan atë, pasi që stili i tij nuk përshtatej me atë të ‘Blaugrana. Me atë rast, Barça e angazhoi trajnerin Pep Guardiola, me të cilin arriti suksese të jashtëzakonshme.

Jose Mourinho do të ishte sot trajner i Barcelonës, por arroganca, agresiviteti dhe kokëfortësia për të dëgjuar ia mohuan këtë të drejtë trajnerit portugez. Tabloidi britanik ‘The Sun’ zbulon për herë të parë detajet e takimeve ndërmjet drejtuesve të Barcelonës dhe ‘Special One’ në vitin 2008.

Ky tabloid tregon se si Mourinho e kishte lëshuar këtë mundësi, pas takimit sekret që kishte pasur me drejtuesit e atëhershëm të klubit katalunas. Ky ‘bashkim’ eventual do ta ndryshonte botëkuptimin e futbollit evropian.

Mirëpo, ish zëvendëspresidenti i Barçës, Marc Ingla dhe drejtori teknik, Txiki Begiristain, teksa e kishin bërë gati kontratën, Mourinho e kishte humbur rastin e tij.

“Në janar të vitit 2008 ne e kishim një presion të hatashëm nga menaxheri i tij për ta takuar Josen. Ai na thoshte: Jose e njeh klubin, është i përgatitur, ai e kupton stilin e lojës. Më pas unë dhe Txiki e zgjodhëm Lisbonën për takimin sekret”, rrëfen Ingla.

“Ne po ashtu po mendonim nëse Guardiola ishte i gatshëm për ta marrë ekipin e parë, pasi e kishte kaluar një gjysmë sezoni me Barçën B, në trajnerin e parë si trajner. Ishte vitale të testonim atë me Mourinhon”, shtoi ish numri 2 i Barcelonës.

Chelsea e kishte shkarkuar Mourinhon në shtator të vitit 2007, por Ingla e Begiristain ishin mahnitur me punën e tij brilante në fushë. Ai po ashtu kishte punuar në Nou Camp si ndihmës i Bobby Robson në fund të viteve 90’.

“Ne po e konsideronim angazhimin e Mourinhos. I thash atij: problemi që e kemi ne është se ju shtyheni shumë me media. Ky është një agresivitet i tepruar. Pastaj shtova: trajneri është imazh i një klubi, ju nuk mund të filloni të luftoni çdo kund, ky është në kundërshtim me stilin tonë. Jose m’u përgjigj: E di, por ky është stili im. Unë nuk dëshiroj të ndryshoj. Ai e kishte famën për t’u bërë numër 1, por nuk na dëgjoi”, kujton Ingla.

Zëvendëspresidenti tjetër, Ferran Soriano e përshkruan mënyrën se si ishin përgjigjur Ingla e Begiristain, kur ishin kthyer nga Portugalia. “Ata kishin shpenzuar tri orë me të, por të dy më thanë se ai nuk ishte njeriu i duhur për ne. Ingla tha se Mourinho kishte folur 90 për qind të kohës dhe se nuk kishte dëgjuar. Ingla më tha: Nuk më pëlqen Mourinho”, tregon Soriano.

Edhe pse shumë njerëz e donin Mourinhon, Barcelona shkoi të bisedonte më pas me ish futbollistin e saj, Pep Guardiola. “Në fund të takimit, Pep na tha: Përse nuk e angazhuat Mourinhon? Do të ishte më e lehtë për ju. Unë iu përgjigja: Jo, janë disa kritere të cilave ai djalosh nuk u përshtatet. Ai kishte qëndrim që nuk i përshtatet stilit tonë. Ai ishte totalisht i papërshtatshëm për ne”, vazhdoi Ingla.

Në atë kohë, Mourinho shkoi në Inter dhe e fitoi Ligën e Kampionëve, duke e mposhtur pikërisht Barcelonën në gjysmëfinale. Mirëpo, më pas Barcelona e mori dominimin në futbollin evropian. Që kur Mourinho iu bashkua Real Madridit në vitin 2010, janë ndarë 66 kartonë dhe 9 kartonë të kuq në 9 përballje të El Clasicos.

Barcelona i ka fituar 13 nga 16 trofetë e mundshëm, që kur Guardiola është emëruar trajner. Katalunasit e kanë humbur vetëm një nga 9 takimet ndaj Realit të Jose Mourinhos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›