Elbasani barazon edhe me Besën rivale
Verdheblutë kanë shënuar të parët me Dalipin, kurse për kavajasit ka barazuar Poçi. Trajnerët mbeten të kënaqur
Elbasani Besa 1-1
Shënues: Dalipi 25 / Poçi 45
Elbasani: Ruçi, Ibrahimi, Jaupi, M.Dushku, Kaçuli, Bilibashi, M.Toçi, Gava, Musta, Dalipi, Kuçi. (U aktivizuan edhe Krekasi, Halili, Sekseni, Olatunji, A.Dushku, Berberi, Boriçi, Hila). Trajner: I.File.
Besa: Bakaj, Hoxha, Dragusha, Krasniqi, Perja, Frashëri, Mihani, Poçi, Rroshi, Ziambo, Duka. (U aktivizuan edhe Mançevski, Tosuni, Hasa, Duro, Çelhaka, Dedej, Tragaj). Trajner: G.Magani.
Gjyqtarë: A.Mahmutaj, A.Robo, E.Sinanaj (Elbasan)
Elbasani ka barazuar edhe në miqësoren e djeshme me Besën. Është barazimi i tretë për verdheblutë në 4 ndeshje miqësore që kanë zhvilluar deri tani. Të dy golat e ndeshjes së djeshme janë shënuar në pjesën e parë, konkretisht nga Endri Dalipi në minutën e 25-të dhe Artion Poçi në të 45-tën. Ka qenë një ndeshje e fortë nga këto dy skuadra, që rivalizojnë edhe në kampionat.
Në të parin rast të rrezikshëm verdheblutë do të kalonin në epërsi me mesfushorin Dalipi, i cili, pas një krosimi nga krahu i majtë, nuk e ka pasur të vështirë të shënonte në portën e Bakajt. Miqtë nga Kavaja kanë luajtur më mirë në vazhdim, e kanë qarkulluar topin dhe kanë krijuar disa raste shënimi. Në minutën e 35-të, kapiteni Mihani ka goditur fort në hyrje të zonës, por portieri Ruçi ka reaguar mirë, duke e grushtuar topin, që më pas ka prekur edhe shtyllën.
Besa ka vazhduar të sulmojë, por mbrojtja verdheblu ka qenë në një ditë të mirë. Kur pritej përfundimi i pjesës së parë, Besa ka gjetur golin e barazimit me anë të Poçit. Pasi ka rrëmbyer një top në hyrje të zonës, ai ka goditur fort me të djathtën dhe 1-1. Në pjesën e dytë, të dy trajnerët kanë kryer shumë zëvendësime, ndërkohë që kavajasit e kanë dominuar lojën.
Ata kanë krijuar edhe raste në portën e Elbasanit, por Ruçi ka qenë në një ditë të mirë, duke shpëtuar disa herë skuadrën e tij. Minutat e fundit janë luajtur më shumë në mesfushë dhe rezultati nuk ka ndryshuar. Trajnerët Filedhe Magani i kanë aktivizuar të gjithë lojtarët që kanë pasur në dispozicion për të parë gjendjen e tyre fizike.
Trajnerët
Ilirjan File, trajner i Elbasanit: Nga mënyra si shkoi loja, mendoj se barazimi është rezultati më i drejtë. Jam i kënaqur nga lojtarët për atë paraqitje që bënë sot (dje). Këto miqësore na vlejnë shumë për të parë gjendjen e çdo lojtari që kemi dhe jo për rezultatin.
Gugash Magani, trajner i Besës: U zhvillua një ndeshje e mirë nga të dyja skuadrat. Mendoj gjithashtu se barazimi është rezultati më i drejtë. I uroj suksese skuadrës së Elbasanit.
3 barazime
Ka regjistruar Elbasani në 4 miqësoret e deritanishme. Barazimi i parë është ai me Gramshin, 3-3, i dyti me Laçin, 0-0, dhe i treti i djeshmi me Besën, 1-1. Të tri barazimet janë arritur në Elbasan, ndërkohë që më parë verdheblutë kanë fituar në fushën e Shkumbinit.
