Shutanovac bën thirrje për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës

Ministri i mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac, ka vlerësuar sot se gjendja e sigurisë në Kosovë është kritike dhe për këtë arsye është e domosdoshme, që serbët në veri të Kosovës, ta dëgjojnë presidentin Boris Tadiç dhe t`i largojnë barrikadat nga rrugët.
Këto komente ai i bëri pas takimit me Ministrin e mbrojtjes së Norvegjisë, Espen Bart Eide.
Më tej Shutanovac theksoi se thirrja e Tadiçit ishte e guximshme dhe veprim prej burri shteti në funksion të stabilizimit të gjendjes në Kosovë.
“Nuk mund t `i zgjidhim problemet nëse qëndrojmë të shpërndarë ndërmjet bllokadave dhe lisave, si në Bruksel, ashtu edhe në Kosovë”, tha Shutanovac, i cili i ka bërë thirrje KFOR-it të mos përdorë dhunë për shkatërrimin e barrikadave.
Ministri norvegjez i mbrojtjes Espen Bart Eide, tha se bllokimi i rrugëve nuk e çon Serbinë askund, por ekziston rreziku që procesi i integrimeve evropiane të ngadalësohet për shkak të kësaj.
Ai ka kërkuar nga të gjitha palët që të jenë fleksibile dhe të përgjegjshme, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet me konsensus të të gjitha palëve.