Shuttle niset në hapësirë: në bord 3 gra
Anija kozmike “Shuttle” ka kaluar me sukses provën e saj të fundit të shkëputjes nga Toka në errësirë. Nisja e raketës është bërë një orë para perëndimit të diellit dhe ndër të tjera ky fluturim përbën edhe një rekord për sa i përket numrit më të madh të pjesëmarrjes së grave në një mision të vetëm hapësinor. Bëhet fjalë për tri gra që ndodhen në ekuipazhin e anijes kozmike, të cilat janë nisur nga qendra hapësinore “Kennedy” në Florida. Ato duhet që të zbarkojnë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar pas një fluturimi 2-ditor. Ky është një nga misionet e fundit para përfundimit të fluturimeve të anijes “Shuttle”. Ato po shkojnë drejt fundit të përdorimit si mjete të lëvizjes në hapësirë, por ende nuk dihet se cilat do të jenë mjetet e tjera që do t’i zëvendësojnë në fluturimet dhe eksplorimet hapësinore të NASA-s. Obama pritet që ta vizitojë shumë shpejt këtë qendër hapësinore për të dhënë edhe direktivat e reja në lidhje me ardhmërinë e saj. Gjatë këtij misioni do të kryhen një numër eksperimentesh në bordin e anijes. Deri para mbylljes së fluturimeve të “Shuttle”, që është parashikuar për fundin e këtij viti, kanë mbetur edhe 4 fluturime të tjera.
#