E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE: Të rritet çmimi për prodhuesit privatë

Kërkesa Enti sugjeron ndryshimin e skemës së përcaktimit të çmimeve

Enti Rregullator i Energjisë mendon se skema aktuale e çmimit që i paguhet prodhuesve privatë të energjisë elektrike është e gabuar dhe duhet të rritet. Në raportin vjetor për vitin e kaluar, i cili po analizohet aktualisht në Kuvend, autoriteti mbikëqyrës thotë se “ka nisur bisedimet për ta ndryshuar çmimin, me qëllim rritjen e tij”.

Hidrocentralet private në Shqipëri patën një prodhim të përgjithshëm prej 89 milionë kWh gjatë vitit të kaluar dhe arkëtuan së bashku rreth 6 milionë euro. Paratë këtyre prodhuesve u paguhen nga KESH si furnizues publik me shumicë, ndërkohë që energjia e prodhuar prej tyre hyn në rrjetin e OSSH-së. Duke parë çmimet e larta të importit, në vitin 2007, qeveria miratoi një skemë favorizuese për prodhuesit privatë, duke detyruar KESH të paguajë një çmim të barabartë me koston e energjisë së importuar. Një skemë e tillë i kthen hidrocentralet private në biznese me norma fantastike fitimi, ku investimet mund të rikuperohen brenda tre vjetësh. Në vitin 2008, kur çmimi i energjisë së importuar arriti kulmin në rreth 80 euro për megavat, ERE përcaktoi si çmim shitjeje për HEC-et e vegjël 9.7 lekë për kWh. Por në vitin 2009, çmimi i importit të energjisë ra në 40 euro për MW, ndërsa për vitin 2010, pritet të jetë rreth 50 euro për MW. Sipas ERE-s, rënia e çmimit të importit e bën skemën e përcaktimit të çmimit jonxitëse për investimet në këtë sektor dhe për këtë, kërkon që skema të ndryshojë dhe çmimi të rritet. Por në total, kostoja shtesë do të rëndojë mbi çmimin final të paguar nga konsumatorët shqiptarë. Vetë KESH, e cila është nën pronësi publike, del me humbje nga kjo “tregti”, pasi ia shet energjinë e prodhuar privatisht OSSH-së me çmim shumë më të ulët.
Nga ana tjetër, sot për sot, prodhuesit e vegjël furnizojnë vetëm 1.3 për qind të konsumit kombëtar, por në të ardhmen, kuota e tyre është e destinuar të rritet dhe bashkë me të, edhe kostoja për konsumatorët. Kur skema e re u bë publike nga qeveria, ishin të shumtë ekspertët që e quajtën absurde blerjen e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet në vend, me të njëjtin çmim me atë të importit. Kostoja e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet është shumë më e ulët se ajo e importit. Por qeveria tha se një skemë e tillë është transparente dhe garanton nxitje për investimet.

Hidrocentralet e vegjël janë përfolur gjerësisht gjatë kohëve të fundit si investime shumë spekulative, ku investitorët pritet të fitojnë miliona, por rentabiliteti i energjisë së prodhuar prej tyre është shumë i dyshimtë. Qeveria ka dhënë disa dhjetëra kontrata koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve të reja, por të gjitha kontratat përfshijnë edhe detyrimin e KESH-it për të paguar energjinë e prodhuar prej tyre. Në fund, të gjitha kostot do të rëndojnë mbi konsumatorët. Një pjesë e hidrocentraleve private janë në zona shumë të thella malore dhe energjia e prodhuar prej tyre mund të mos mbërrijë teknikisht te konsumatori. Megjithatë, shitja e saj është e garantuar.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›