E Diel, 1 Nëntor 2026

Shvajnstajger-Materaci, përpak plas grushti në fushë

GJERMANI- Ka qenë një fund-ndeshje inkandeshente ajo mes Bajernit të Mynihut dhe Interit. Pas fishkëllimës finale, Bastian Shvajnstajger është lëshuar kundër Marko Materacit dhe për pak në fushë plasën grushtat. Motivi i zemërimit të lojtarit gjerman nuk ishte i qartë, por Shvajni ka shpjeguar: “E kuptoj sesi ndjehet Zidane. Materaci nuk ka bërë gjë tjetër, veçse na ka provokuar që në dhomat e zhveshjes. Nuk është një sjellje korrekte”, deklaroi ai. Në fushë, ka qenë ndërhyrja e njerëzve të tjerë që ka ndaluar përdorimin e grushtave. Shvajnstajger rrallëherë është parë kaq i xhindosur dhe madje ka përdorur duart ndaj njërit prej atyre që hynë në mes për t’i ndarë. Por, nuk ka munguar përgjigja e Marko Materacit, që ka replikuar me mesfushorin gjerman. “Shvajnstajger kishte të paktën dy javë që po fliste, tani më quan mua provokator”, ka thënë mbrojtësi i Interit në sajtin e tij në internet. Materaci ka vazhduar: “Unë kam vetëm dy fjalë për t’i thënë Shvajnstajgerit, që për të bërë diçka origjinale, më quajti mua provokator. Ai kishte dy javë që thoshte se ndeshja do të ishte një hakmarrje për finalen e Madridit, se ishte kuriozë të shihte sesi do të luanim si italianë apo që njihte vetëm fytyrat e atyre të Milanit. Tani besoj se njeh edhe tonat. Shyqyr që isha unë ai që provokova se i kujtova në një moment se është më mirë të flasësh pasi të kesh fituar dhe jo përpara”, shton futbollisti i Interit. Materaci ka komentuar më tej edhe kalimin e “çmendur” në çerekfinale, pas fitores 3-2 në “Allianz Arena”. “Inter i çmendur? Mundet, por derisa çmenduria të jetë kjo, mendoj se është e bukur të jesh Interi, një skuadër e aftë për të bërë përmbysje të tilla, në ndeshje kaq intensive”, deklaron lojtari zikaltër.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›