E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli nderon Mesia-n, bota i përulet mbretit Leo

Mediat Vlerësime pas “pokerit” kundër Arsenalit: “Më parë ishte Pele, pastaj Maradona… ndërsa tani është ai”

“Mos thoni futboll, thoni Mesi”. Ose më mirë, thoni “Mesia”. E gjithë bota është çmendur për Leo Mesin pas paraqitjes së jashtëzakonshme të “pleshtit” në ndeshjen e kthimit me Arsenalin, në çerekfinalet e Champions League. Ylli i Barcelonës realizoi një “poker” fantastik në fitoren 4-1, rezultat me të cilin “blaugranat” eliminuan “topçinjtë”. Kampionët në fuqi të Europës kaluan në gjysmëfinale dhe tashmë përgatiten për sfidën me Interin. Trajneri Zhoze Murinjo, drejtuesi i stolit zikaltër, duhet të studiojë taktika të denja për emrin që ka, për të ndaluar një lojtar, i cili të martën shpalosi edhe një herë të gjithë klasin e lartë, me një paraqitje për t’u mbajtur mend. “Mos thoni futboll, thoni Mesi”, shkruante e përditshmja katalane “Sport”, në faqen e saj elektronike. Ndërsa në faqen e parë të gazetës vlerësohej talenti 22-vjeçar me titullin e madh: “MegaMessi”. Gjenialiteti i Lionel Mesit nuk ngrihet në qiell vetëm nga mediat katalane, por edhe nga ato gazeta që tradicionalisht mbajnë anën e Realit të Madridit. Edicioni në internet i “Marca”-s kishte titullin “Mbreti i futbollit”. Ndërkohë, në treg gazeta mendonte për supersfidën e kampionatit, që do të luhet të shtunën në “Santiago Bernabeu”, ku “merengues” do të presin Barcelonën, në një takim i cili pritet të përcaktojë fituesen e titullit në La Liga. Natyrisht që madrilenët janë të shqetësuar më së shumti vetëm prej formës së Mesit. “Si ta ndalojmë këtë këtu?”, ishte titulli që shfaqej dukshëm në faqen e parë. Në anën tjetër, gazeta “As” shkruante: “Mesi i frikshëm”.

Spanja duket e gjitha në delir, por madhështia e Mesit vlerësohet edhe në Angli. Sipas “Times”, sulmuesi i Barçës është “gjeniu”, ndërsa “The Independent” e cilësonte “magjiku”. “Numri 10 hyjnor, lexohej aty, ka dhuruar një prej paraqitjeve më të jashtëzakonshme në nivelin personal”. Të gjithë mediat britanike nënvijëzojnë fjalët e Arsen Venger, i cili nderoi një lojtar të aftë që “ta bëjë të mundur, atë që duket e pamundur”. “Mail Online” nuk i kurseu krahasimet me dy emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit: “Perfect 10: Më parë ishte Pele, pastaj erdhi Maradona… Tashmë përshëndesim mbretin e ri”. Kuptimplotë edhe titulli i tabloidit “The Sun”: “Messiah”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›